Mbi 15 mijë vëzhgues të akredituar për zgjedhjet e 7 qershorit

featured
Press Online
02 Qershor 2026, 12:12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar grupin e dytë të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 7 qershor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në mbledhjen e së martës janë akredituar 15 mijë e 788 vëzhgues.

“Vëzhguesit e akredituar në këtë mbledhje përfaqësojnë 15 subjekte politike, 8 organizata joqeveritare, 3 organizata ndërkombëtare, 26 media vendore, 16 media ndërkombëtare dhe 4 përfaqësi diplomatike”, tha Elezi.

Ai shtoi se, pas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për procesin zgjedhor ka arritur në 16 mijë e 549.

“Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë: 15 subjekte politike – 14,931 vëzhgues; 13 OJQ vendore – 796 vëzhgues; 4 organizata ndërkombëtare – 130 vëzhgues; 39 media vendore – 457 vëzhgues; 23 media ndërkombëtare – 78 vëzhgues; 6 përfaqësi diplomatike – 90 vëzhgues; dhe 1 institucion vendor – 67 vëzhgues”, theksoi ai.

Në mbledhjen e së martës, KQZ-ja mbështeti edhe rekomandimin për refuzimin e kërkesës për akreditim të mediumit “Radio-televizija Vojvodine”.

“Gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo media, Zyra ka konstatuar se organizata në fjalë është paraqitur dhe ka aplikuar si media vendore. Megjithatë, pas verifikimit të dokumentacionit dhe të dhënave zyrtare, është konstatuar se i njëjti nuk figuron i regjistruar si media në kuadër të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe as në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës”, deklaroi Elezi.

Po ashtu, ai bëri të ditur se mediumi nuk kishte dorëzuar certifikatën e regjistrimit sipas kërkesave të aplikimit.

“Po ashtu, në rubrikën e dedikuar për ngarkimin e certifikatës, ka ngarkuar kartelën identifikuese të shtëpisë mediatike dhe jo certifikatën përkatëse të regjistrimit, siç kërkohet sipas dokumentacionit të aplikimit”, tha ai.

KQZ-ja ka marrë vendim edhe për emërimin e ekipeve të numërimit në 38 qendra komunale të numërimit.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen 2,213 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor”, njoftoi Elezi.

Ndërkohë, janë emëruar edhe 153 anëtarë të këshillave të vendvotimeve të rregullta për vendet e paplotësuara, si dhe 192 anëtarë të 52 këshillave të vendvotimeve me kusht.

Në fund, KQZ-ja ka miratuar edhe stafin rezervë dhe stafin asistues për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor.

“Sipas vendimit të KQZ-së, numri i personave të emëruar është 66. Në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë që përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike”, tha Elezi.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

ile Haber Hakkında Sohbet

ile Haber Hakkında Sohbet

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.