Shumica e njerëzve e kanë përjetuar të paktën një herë atë ndjesinë e mprehtë të dhimbjes në ballë pas një kafshate të shpejtë akulloreje ose një gllënjke pijeje shumë të ftohtë. E njohur si “brain freeze” ose “dhimbja e akullores”, kjo gjendje është zakonisht e padëmshme dhe kalon brenda pak sekondash. Megjithatë, shkencëtarët thonë se ajo mund të tregojë më shumë për shëndetin tonë sesa mendohej më parë.
Sipas neurologes Amaal Starling nga Mayo, ajo që njihet si “dhimbje e akullores” quhet në terminologjinë mjekësore “dhimbje koke e shkaktuar nga stimuli i ftohtë”. Studiuesit besojnë se kjo ndodh kur qiellza ose pjesa e pasme e fytit ftohet shumë shpejt. Si reagim, enët e gjakut ngushtohen menjëherë dhe më pas zgjerohen përsëri për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.
Ky proces aktivizon fibrat e dhimbjes që lidhen me nervin trigeminal, nervi kryesor që transmeton sinjalet e dhimbjes nga fytyra dhe balli drejt trurit. Për këtë arsye, dhimbja ndihet në kokë dhe jo në gojë. Studimet tregojnë se “dhimbja e akullores” mund të ketë komponent gjenetik. Megjithëse shkencëtarët ende nuk kanë identifikuar gjenet specifike përgjegjëse, analizat e kryera gjatë dekadave të fundit kanë zbuluar një lidhje të qartë familjare.
Profesoresha Irene Toldo nga Universiteti i Paduas analizoi katër dekada kërkimesh mbi këtë fenomen dhe gjeti se personat që vuajnë nga migrena janë shumë më të prirur të përjetojnë edhe dhimbje të akullores. Në një studim të viteve 1970, rreth 93 për qind e personave me migrenë kishin përjetuar gjithashtu “dhimbje e akullores”, ndërsa vetëm një e treta e personave pa histori migrene raportuan të njëjtën gjë.
Rikujtojmë se kompania Straus Family Creamery, me bazë në Kaliforni, po tërheq nga tregu disa produkte organike të akullores në paketime pint dhe quart, për shkak të pranisë së mundshme të copëzave metalike, sipas një njoftimi të publikuar të premten nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Kompania tha se produktet e prekura kanë qenë në raftet e dyqaneve që nga 4 maji, dhe se vetëm seritë me disa data të caktuara të skadencës (“best by”) përfshihen në tërheqje. Deri tani nuk janë raportuar lëndime apo dëmtime.




