Analisti politik Bytyqi vlerëson se fushata aktuale zgjedhore po karakterizohet nga dy qasje të ndryshme të subjekteve politike, ku sipas tij pushteti po fokusohet në tema që krijojnë polarizim, ndërsa opozita po përpiqet të ofrojë alternativa përmes projekteve konkrete.
“Nga ajo që kam parë deri më tani, janë dy qasje. Qasja e pushtetit është e fokusuar tek polarizimi dhe temat që i entuziazmojnë njerëzit apo i prekin emocionalisht. Opozita e ka një qasje të fokusuar tek projektet dhe mobilizimi brenda strukturave të veta për të ofruar një mundësi ndryshimi të qeverisjes apo pushtetit në Kosovë”, ka deklaruar Bytyqi ne emisionin “Five” te Dukagjinit.
Ai ka theksuar se këto zgjedhje dallojnë nga proceset e kaluara për shkak të disa faktorëve të rinj politikë, të cilët sipas tij mund të ndikojnë në sjelljen e elektoratit.
“Këto zgjedhje kanë disa faktorë të rinj. Vjosa Osmani ka qenë kontribuuese e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në PDK ka pasur ndryshime me përfshirjen e njerëzve të rinj dhe bashkëpunimin me Fatmir Limajn. Po ashtu, ka ndryshime edhe brenda AAK-së, ku Aleanca nuk identifikohet vetëm me Ramush Haradinajn dhe kjo mund të sjellë dinamika të reja”, tha ai.
Sipas Bytyqit, një pjesë e elektoratit mund të mobilizohet edhe nga figurat e reja apo të rikthyera në skenën politike lokale.
“I bie që një pjesë e elektoratit të jetë më e mobilizuar sa i përket figurës së Ardian Gjinit, i cili ka një karrierë të bujshme si kryetar komune, ish-deputet dhe ish-ministër. Kanë ndodhur disa ndryshime, por është ende herët të flitet për ndikimin që do të kenë ato në rezultatin zgjedhor”, u shpreh ai.
Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Bytyqi vlerësoi se ajo mund të jetë më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në dhjetor.
“Pjesëmarrja mund të jetë më e ulët sesa në dhjetor. Një nga arsyet është se në fundvit ka pushime të zgjatura dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ndodhen jashtë vendit. Megjithatë, mbetet të shihet se sa do të ndikojnë këta faktorë në daljen e votuesve në zgjedhje”, përfundoi Bytyqi.
https://www.youtube.com/watch?v=E-QWQBuvVvI




