Rrugë më e shpejtë drejt anëtarësimit të plotë, avancim gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor më pranë Bashkimit Evropian apo motivimi i tyre për të qenë sa më kompatibile me Unionin? Përgjigjet në pyetjen se në cilin drejtim do të lëvizë procesi i zgjerimit – veçanërisht pas shumë propozimeve dhe non-paper-ëve mbi këtë temë – pritet të jenë më të qarta në samitin BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.
Para samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Udhëtimi im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: përkushtimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq reale sa është edhe mundësia për zgjerim. Momenti është këtu. Tani është koha për veprim”, deklaroi Costa para turneut.
Kanë kaluar 13 vjet nga zgjerimi i fundit i BE-së me pranimin e Kroacisë më 1 korrik 2013. Gjatë vizitës së tij, Costa do të diskutojë çështje që lidhen me zgjerimin, integrimin gradual të rajonit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vizitën do ta nisë më 1 qershor në Sarajevë, më 2 qershor do të jetë në Tiranë dhe Shkup, ndërsa më pas do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.
Turneun do ta përfundojë në Mal të Zi, ku presidenti Jakov Milatoviq do të organizojë një darkë me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së vendit. Më 5 qershor, Costa do të bashkëkryesojë samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, me temën kryesore: “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Me Kos në takim kokë më kokë
Sa i përket procesit eurointegrues të Maqedonisë, deri tani nga pala bullgare nuk ka shenja për ndryshim të qëndrimit lidhur me kushtet e përcaktuara në konsensusin evropian të vitit 2022. Një javë para samitit në Mal të Zi, presidenti bullgar Rumen Radev, i shoqëruar nga ministrja e Jashtme Velislava Petrova, zhvilloi vizita në Paris dhe Bruksel. Edhe para takimit me presidentin francez, ai theksoi se një nga çështjet që lidh dy vendet është mbështetja e Emmanuel Macron për përfshirjen e nevojës për ndryshime kushtetuese në kornizën negociuese.
“Në vitin 2021, për herë të parë para liderëve evropianë ngrita çështjen e përfshirjes së bullgarëve maqedonas në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. M’u desh një vit për t’i bindur liderët evropianë pse kjo duhej të ndodhte. I shpreh mirënjohje presidentit Macron, i cili i pari e pa arsyeshmërinë e kësaj ideje dhe me përpjekje të përbashkëta ajo u përfshi në kornizën negociuese në korrik të vitit 2022”, deklaroi Radev, duke shtuar se do të sigurojë mbështetjen e Francës për zbatimin e plotë të këtij konsensusi.
Dje në Bruksel, Radev u takua me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ndërsa pati edhe një takim tjetër për të cilin nuk u publikua njoftim zyrtar.
“Pas takimit me Ursula von der Leyen, presidenti Rumen Radev zhvilloi një bisedë kokë më kokë në ndërtesën e Komisionit Evropian edhe me komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos”, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të presidencës bullgare.
E vështirë ajo që ka ndodhur këtu
Ngërçi në procesin integrues të Maqedonisë është temë e përditshme përplasjeje mes pushtetit dhe opozitës. Ndryshe nga opozitarja LSDM, mirëkuptim për pozicionin maqedonas shprehu kryeministri kroat Andrej Plenkoviq gjatë vizitës së tij në vend.
“Të kërkohet disa herë ndryshimi i Kushtetutës, ndryshimi i emrit dhe gjithçka që ka ndodhur këtu është e vështirë. E vështirë për çdo qeveri dhe për çdo popull. Shpesh pyes veten se cili do të ishte qëndrimi i Kroacisë dhe qytetarëve kroatë nëse do të kishim kushte të ngjashme me ato që ka populli maqedonas dhe Maqedonia e Veriut sot. Nuk mendoj se do të ishte e lehtë të ruhej niveli i entuziazmit dhe përkushtimit ndaj BE-së siç e kemi ne sot”, tha Plenkoviq në një intervistë për “360 Gradë”.
Ai vlerësoi se në samitin e Tivatit duhet të kërkohen zgjidhje për zhbllokimin e situatës.
“Ajo që kemi sot është një kryeministër i ri, presidenti bullgar Radev me përvojë të madhe politike, dhe besoj se kjo temë do të vijë shumë shpejt në tryezë në bisedimet bilaterale. Besoj se tashmë në ditët e ardhshme në Tivat do të kemi mundësi të diskutojmë për dinamikën e mëtejshme të zgjerimit, pasi tani në këtë proces përfshihen edhe Ukraina, Moldavia dhe të gjitha vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst më të gjerë duhet të kërkohen zgjidhje për zhbllokimin e kësaj situate, e cila nuk është e mirë as për Maqedoninë e Veriut dhe as për vetë procesin e zgjerimit”, deklaroi kryeministri kroat.
Pozicion i arsyeshëm dhe i justifikuar
Zgjidhje janë kërkuar edhe më parë, por pa rezultat. Në pyetjen nëse është e mundur të sigurohen garanci që, nëse realizohen ndryshimet kushtetuese, ato të jenë lëshimi i fundit me karakter identitar dhe historik dhe se nuk do të ketë veto të reja, Plenkoviq e vlerësoi kërkesën për garanci si një pozicion të arsyeshëm të qeverisë maqedonase.
“Mendoj se ky është një qëndrim i arsyeshëm i qeverisë maqedonase dhe i kryeministrit Mickoski. Kur njeriu digjet një herë, pastaj fryn edhe kosin. Sepse edhe më herët ka pasur situata kur mendohej se gjithçka ishte zgjidhur pasi të përmbusheshin disa kritere, por më pas papritur shfaqeshin sfida dhe kushte të reja për hapjen e negociatave. Prandaj e kuptoj se qeveria aktuale e trashëgoi marrëveshjen e vitit 2022, kur Franca kryesonte Këshillin e BE-së, një zgjidhje me të cilën Franca u përpoq të ishte konstruktive. Megjithatë, ajo zgjidhje objektivisht është shumë kërkuese për të gjithë aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut dhe nuk më habit ky qëndrim. Mendoj se është i drejtë dhe i artikuluar mirë – nëse arrihet një marrëveshje, atëherë pas një viti të mos ketë pengesa të reja dhe të mos kthehemi sërish te ndryshime të mëdha ligjore apo kushtetuese, të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme politikisht dhe në fund edhe jopopullore”, vlerësoi Plenkoviq.
Ai nuk është i vetmi që mendon se kërkesa për garanci është e justifikuar. Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare lidhur me procesin eurointegrues, ministri Timço Mucunski theksoi dje se Qeveria zhvillon një qasje të argumentuar dhe parimore në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë dhe se “nuk do të ketë më lëshime dhe tolerime që nuk japin rezultate”.
Ai vlerësoi se kërkesa për garanci shtesë në lidhje me rrugën evropiane është një pozicion i justifikuar, duke kujtuar qëndrimet publike të disa liderëve evropianë, ndër të cilët, përveç Plenkoviqit, janë edhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, të cilët kanë theksuar nevojën për siguri shtesë dhe parashikueshmëri në proces.
“Nuk është e vërtetë se nga shteti kërkohen vetëm ndryshime kushtetuese”, theksoi Mucunski, duke vlerësuar se problemi thelbësor buron nga “zgjidhjet e pamenduara mirë të vitit 2022”. (PressOnline.al)


