Ministrat e Jashtëm të BE: Më shumë presion ndaj Rusisë

featured
Press Online
28 Maj 2026, 17:09

Krerët e diplomacisë së venE madhee të BE-së mblidhen në Qipro për të biseduar mbi situatën në Ukrainë si dhe në Lindjen e Mesme.

Në qendër të diskutimeve është ndër të tjera pyetja nëse dhe si BE-ja mund të angazhohet më fuqishëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës.

Deri tani, bisedimet me Moskën janë udhëhequr kryesisht nga presidenti amerikan Donald Trump dhe të dërguarit e tij.

Kallas: Më shumë presion ndaj Rusisë

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, njofton se synohet rritja e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë. Kjo është edhe një pasojë e sulmeve të fundit ndaj Kievit dhe kërcënimeve ndaj BE-së.

Një i dërguar i posaçëm për Ukrainën nuk pritet të jetë temë diskutimi në Qipro. BE-ja, për momentin, nuk planifikon të emërojë një kryenegociator për bisedime të mundshme paqeje me Rusinë.

Një hap i tillë nuk shihet aktualisht si i dobishëm nga Kallas dhe nga shtete udhëheqëse të BE-së si Gjermania, kanë bërë të ditur disa zyrtarë të lartë të BE-së dhe diplomatë për agjencinë e lajmeve dpa.

Së pari, thuhet se duhet diskutuar për çështje strategjike, jo për persona. “Duhet të biem dakord se për çfarë duam të flasim me Rusinë”, tha një zyrtare e BE-së.

Si kandidatë të mundshme për negociim janë përmendur së fundmi ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti finlandez Alexander Stubb. Në diskutim ka qenë edhe emri i ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.

Bisedimet me Arabinë Saudite dhe Indinë

Në lidhje me Lindjen e Mesme, fokusi do të jetë veçanërisht te lufta me Iranin dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit, e rëndësishme për transportin e gazit dhe naftës. Në konsultime janë ftuar edhe përfaqësues nga India dhe Arabia Saudite. /DW

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter