Microsoft, Google, Amazon dhe Meta janë bërë pjesë e një nisme të re të udhëhequr nga organizata jofitimprurëse Elemental Impact, me synimin për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjive që ulin ndikimin klimatik të data center-ëve. Nisma fokusohet tek zgjidhje si sistemet e avancuara të ftohjes, ruajtja e energjisë dhe materialet me karbon të ulët, përfshirë betonin dhe çelikun “e gjelbër”. Sipas drejtuesve të projektit, data center-ët po shndërrohen në një laborator testimi për teknologji të reja që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e konsumit energjetik nga inteligjenca artificiale.
Zyrtarë të Elemental Impact theksojnë se objektivi nuk është financimi i zgjerimit të vetë data center-ëve, por përshpejtimi i kalimit të teknologjive nga faza pilot në përdorim të gjerë industrial. Iniciativa parashikon investime nga 500 mijë deri në 5 milionë dollarë për startup-e që zhvillojnë zgjidhje në eficiencën energjetike, menaxhimin e ujit dhe infrastrukturën e qëndrueshme. Paralelisht, kompanitë teknologjike dhe fondacione si Breakthrough Energy dhe Builders Vision do të ofrojnë mbështetje financiare dhe akses në infrastrukturë testimi.
Sipas Microsoft-it, sfida kryesore mbetet kalimi nga inovacioni në implementim në shkallë të gjerë, sidomos në një moment kur kërkesa për energji nga sistemet AI po rritet ndjeshëm. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se iniciativa, ndonëse e rëndësishme, nuk mjafton për të zbutur plotësisht shqetësimet mbi rritjen e konsumit energjetik dhe ndikimin mjedisor të zgjerimit të shpejtë të infrastrukturës së AI.




