Tregu i trajnerëve në Europë po kalon një fazë tejet dinamike, ku lëvizjet e para po diktojnë strategjitë e klubeve të mëdha për sezonin e ri.
Në qendër të vëmendjes është Andoni Iraola, trajneri bask që po kërkohet me ngulm nga disa prej emrave më të rëndësishëm të kontinentit, përfshirë Milanin, Crystal Palace dhe Liverpoolin.
Iraola sapo ka mbyllur një sezon historik në Premier League me Bournemouthin, duke e renditur skuadrën në vendin e gjashtë, rezultati më i lartë në historinë e klubit, dhe duke siguruar një biletë për në garat europiane. Ky sukses ka bërë që aksionet e tij të rriten ndjeshëm, por spanjolli po tregon maturi dhe po temporizon për të marrë vendimin më të mirë për të ardhmen e karrierës së tij.
Ditët e fundit, Milani ka bërë hapa konkretë duke kontaktuar përfaqësuesit e tij, por kuqezinjtë po ndeshin në një pengesë të madhe. Iraola ka dyshime serioze për projektin e klubit italian, kryesisht për shkak të paqëndrueshmërisë institucionale dhe presioneve brenda ambientit në San Siro. Nga ana tjetër, Crystal Palace po shtyn fort dhe është e gatshme t’i ofrojë një buxhet transferimesh deri në tri herë më të lartë se ai i Milanit, ndërsa Liverpooli mbetet në monitorim të situatës si një opsion i mundshëm me peshë të rëndë.
Leverkuseni ndryshon kurs: Synohet Filipe Luís
Kjo pritje e gjatë e Iraolas ka detyruar klube të tjera të ndryshojnë menjëherë objektiv. Bayer Leverkuseni, i cili po planifikon zëvendësimin e teknikut aktual Kasper Hjulmand pas disa rezultateve të fundit zhgënjyese, ishte pozicionuar fillimisht në garë për spanjollin. Sidoqoftë, përballë hezitimit të Iraolas, gjermanët kanë vendosur të mos humbin kohë dhe janë hedhur me kokë në bisedime për një tjetër emër të njohur: Filipe Luís.
Ish-mbrojtësi i krahut i Atletico Madridit dhe Chelsea-t, sot 40 vjeç, është shndërruar në prioritetin absolut të departamentit sportiv të Leverkusenit. Luís vjen nga një përvojë tejet mbresëlënëse në krye të Flamengos në Brazil, ku arriti të fitonte kampionatin vendas (Brasileirão) dhe Copa Libertadores, përpara se të shkarkohej papritur në mars të këtij viti.
Bisedimet mes Leverkusenit dhe kampit të teknikut brazilian kanë nisur dhe po përparojnë me shpejtësi. Plani i bordit gjerman është që largimi i danezit Hjulmand të bëhet zyrtar vetëm pasi të jetë firmosur kontrata me pasardhësin e tij, duke tentuar të shmangin çdo periudhë tranzicioni të pambuluar. Për Filipe Luís, kjo do të përbënte stacionin e parë të madh si trajner në futbollin europian.




