Irani zbulon detaje për Mojtaba Khamenein: Pësoi vetëm plagë sipërfaqësore gjatë sulmit ku u vra i ati

featured
Press Online
25 Maj 2026, 16:27

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, ka deklaruar se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka pësuar vetëm plagë sipërfaqësore në fytyrë, kokë dhe këmbë, gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, ku u vra i ati i tij, Ali Khamenei dhe anëtarë të tjerë të familjes.

“Udhëheqësi Mojtaba Khamenei pësoi vetëm plagë sipërfaqësore në fytyrë, kokë dhe këmbë, pa amputime ose lëndime të tjera të rënda, pasi u plagos gjatë sulmit izraelito-amerikan më 28 shkurt, i cili vrau babanë e tij, udhëheqësin e atëhershëm Ali Khamenei”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, për agjencinë iraniane të lajmeve ILNA.

Duke dhënë detaje mbi incidentin, Kermanpour shtoi se Mojtaba Khamenei u dërgua në spital, së bashku me persona të tjerë të plagosur, rreth orës 13:00 dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ai nuk pësoi lëndime serioze dhe këmbënguli të vazhdonte agjërimin e tij, pasi ishte muaji i Ramazanit, deri në Iftar.

“Kjo tregon se ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Udhëheqësi u largua nga spitali më 1 mars në orën 2:00 të mëngjesit”, përfundoi ai.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter