“Nuk ka edhe patriot edhe hajn, ose patriot ose hajn, nuk ka edhe çlirimtar edhe zullumqar”, ka thënë Albin Kurti.
Shkoi mijëra kilometra larg deri në Zvicër, që t’ua jap këtë mesazh bashkatdhetarëve.
Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministër në detyrë Albin Kurti tha se kontributi i veteranëve për pavarësim të Kosovës, s’mund të përdoret si arsyetim për korrupsion e pasurim personal.
Kësaj akuze, i janë kundërpërgjigjur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e cilësuar si tejet të rëndë.
“Ne zullum kemi bë vetëm kundër pushtuesit serb, dhe kundër forcave pushtuese serbe, jo kundër serbëve, por UÇK, atë zullumin që ka mund ta bëjë, kundër pushtetit serb dhe jo indivdëve, prandaj konsideroj se përdorimi I këtyre termave është turp”, ka thënë Fatmir Sopi, Nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Sipas Sopit, çlirimtarët e shtetit nuk duhet të përdoren për fushata zgjedhore, sidomos kur cak është dëmtimi i integritetit të tyre.
“Është për të ardhur keq që Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë të merret për gojë sa herë që dikujt i duhet një grusht votash. Konsideroj se partitë politike duhet të garojnë për programet politike dhe jo të merren me një faqe të ndritshme të historisë sonë”, ka thënë Fatmir Sopi, Nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Njohësit e çështjeve politike ndërkohë, konsiderojnë se Kurti sërish po e përdor metodën e polarizimit dhe sulmit.
“Sulmohet pikërisht ajo vlera më e madhe që kanë akterët, kundërshtarët politikë. Prandaj edhe kjo formë e komunikimit duhet të kuptohet si diçka e tillë. Pra mund të jesh çlirimtar dhe hajn, ndoshta e mbulon atë faktin që e ka Albin Kurti brenda partisë së tij, që mund të mos jesh fare çlirimtare, mund të kesh qenë madje edhe bashkëpunëtorë i pushteteve të kaluara okupuese, por sot mund të jesh edhe hajn”, ka thënë Blerim Canaj, Analist.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti u kritikua sidomos në zgjedhjet e shkurtit 2025 ku pas shpalljes së rezultatit, i quajti kundërshtarët politikë ‘hajvan’ e tha se ‘ka kaluar koha e hajvanatit’.
https://www.youtube.com/watch?v=p1g8V8lsdig



