Vllaznia-Egnatia vendos fatin e Final Four, ja dy skenarët që duhet të dini dhe statistikat!

featured
Press Online
24 Maj 2026, 04:36

Vllaznia dhe Egnatia do të masin forcat sot prej orës 19:00. Ky takim vlen për javën e dytë të Final Four, ndërsa luhet pikërisht te stadiumi “Air Albania”.

Sfida është me mjaft rëndësi, pasi vendos axhendën e Final Four për javën e tretë dhe të fundit. Nëse Vllaznia fiton sot, atëherë automatikisht eliminon Egnatian dhe Dinamon nga gara për titull.

Në këtë mënyrë do të ndiqet axhenda e mëparshme, pa ndryshim. Egnatia dhe Dinamo do të përballeshin më 29 maj në stadiumin “Air Albania”.

Përndryshe, me çdo rezultat tjetër te Vllaznia-Egnatia, java e tretë do të sjellë ndryshimin e pazakontë të axhendës. Egnatia-Dinamo do të luhet më 31 maj, njësoj si Vllaznia-Elbasani. Vetëm se për përballjen e Egnatias dhe Dinamos do të vendosej në dispozicion stadiumi “Elbasan Arena”.

Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias në sezonin 2025-26 të Superiores kanë folur qartë në favor të shkodranëve. Kuqeblutë kanë ruajtur një ecuri pozitive ndaj rivalëve nga Rrogozhina, duke mos njohur asnjë humbje.

Një statistikë që padyshim i jep besim skuadrës së Vllaznisë në prag të përballjes së pestë mes dy ekipeve në fazën “Final 4”. Gjithçka nisi në javën hapëse të kampionatit, aty ku Vllaznia dha menjëherë sinjalet e një skuadre pretendente. Shkodranët triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Egnatias, falë golave të Gurishtës dhe Bajramit. dominuan lojën dhe treguan forcën e tyre që në startin e sezonit.

Në fazën e dytë, dy ekipet dhuruan një nga ndeshjet më spektakolare të kampionatit. Në Rrogozhinë, sfida përfundoi në barazim 2-2 pas një dueli të luftuar deri në minutat e fundit. Për vendasit realizuan Jahaja dhe Haime, ndërsa për Vllazninë shënuan Kallaku dhe Balaj, duke bërë që shkodranët të dilnin sërish me pikë nga transferta ndaj kampionëve në fuqi.

Edhe përballja e fazës së tretë konfirmoi superioritetin e Vllaznisë në duelet direkte të këtij sezoni. Një gol i Kallakut rezultoi vendimtar për suksesin minimal 1-0 të kuqebluve, në një sfidë ku skuadra shkodrane tregoi personalitet dhe pjekuri ndaj një kundërshtari me shumë cilësi.

Ndërkohë, dueli i fazës së katërt ishte më i balancuar dhe u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0, duke bërë që Vllaznia të ruante rekordin pa humbje ndaj Egnatias.

Në prag të ndeshjes së pestë mes dy skuadrave në “Final 4”, statistikat dhe precedentët e këtij sezoni janë një tregues pozitiv për Vllazninë. Dy fitore dhe dy barazime në katër përballje tregojnë qartë se shkodranët kanë ditur ta lexojnë mjaft mirë lojën e Egnatias.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter