Deputeti demokrat Ivi Kaso ndau detaje nga procesi i referendumit që po zhvillohet këtë të shtunë në PD për kryetarin e partisë.
Siç u shpreh Kaso për mediat, pjesëmarrja në këtë proces është masive dhe tanimë po mblidhen të dhënat e para.
Kaso nënvizoi se do të ketë shpallje paraprake të rezultatit nga KOKOE në momentin e mbylljes së procesit të votimit, parashikuar për në orën 18:00
“Procesi ka nisur në gjithë vendin pa asnjë problematikë. Ka masivitet deri tani, jemi duke mbledhur të dhënat e para, të cilat do bëhen publike nga KOKOE për publikun sa të përpunohen. Është për t’u përshëndetur fakti që demokratët janë pranë qendrave të votimit në degët e tyre dhe me votën e tyre do të zgjedhin kryetarin e PD. Do ketë shpallje paraprake të rezultatit nga KOKOE në momentin e mbylljes së procesit të votimit, që është parashikuar në orën 18:00. Do të dërgohen në selinë qendrore përmes elektronikës rezultatet paraprake, të cilat, pasi të hartohet tabela përmbledhëse, do të bëhen publike. Rezultati përfundimtar do të konsiderohet i tillë kur kutitë me fletët e votimit do të paraqiten fizikisht në selinë e PD me procesverbalet”,-tha Kaso.



