Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Në këtë moment, Samsung nuk është më kompani teknologjie. Është ai shoku që dikur të merrte karikues borxh… dhe sot ka blerë gjysmën e lagjes. Sepse po flasim për plot 1 trilion dollarë vlerë në bursë. Po, me 12 zero. Aq shumë para sa edhe kalkulatori i tatimeve thotë: “Më fal, nuk paguhem për këtë nivel stresi.”
Gjiganti korean pa aksionet t’i shpërthenin me mbi 10%, falë çmendurisë globale me Inteligjencën Artificiale. Sepse sot çdo kompani do AI. Edhe frigoriferi shumë shpejt do më thotë: “Mateo, mos ha akullore në 2 të natës.” Problemi? Të gjithë kanë nevojë për çipa. Dhe Samsung prodhon pikërisht memoriet që ushqejnë këto sisteme AI.
Fitimet e kompanisë u rritën tetë herë krahasuar me vitin e kaluar. Tetë herë!
Dhe tani vjen pjesa interesante: Apple po diskuton me Samsung dhe Intel për të prodhuar çipa në Amerikë. Praktikisht, Apple po sillet si ai klienti që ka blerë gjithmonë tek një dyqan dhe papritur futet te konkurenca “vetëm për të parë”.
Në qendër të gjithë kësaj janë çipat HBM – super-memorie për AI – që po shiten më shpejt se biletat e finales së Champions-it. Por Samsung nuk është vetëm në ring. SK Hynix dhe Micron po luftojnë fort për të njëjtin treg.
Ndërkohë, ironia është perfekte: divizioni i telefonëve Samsung tani duhet të blejë me çmime të kripura po ato çipa që kompania vetë po shet me fitim rekord. Pra Samsung po i merr lekët… Samsungut. Kapitalizëm final boss.
https://www.youtube.com/watch?v=Y3m4w10KyEY



