Një incident i pazakontë mes Quentin Tarantino dhe Brad Pitt gjatë xhirimeve të filmit “Once Upon a Time in Hollywood” është rikthyer në vëmendje pas një rrëfimi të aktorit Bruce Dern për revistën People.
Sipas Dern, ngjarja ka ndodhur gjatë realizimit të një skene ku personazhi i Brad Pitt, Cliff Booth, shkon në fermën e George Spahn, rol i interpretuar nga vetë Bruce Dern.
Aktori tregoi se gjatë skenës improvizoi një fjali që nuk ishte pjesë e skenarit:
Nuk jam shumë i sigurt se çfarë po ndodh.
Në atë moment, Brad Pitt ndërpreu menjëherë xhirimin, duke ndalur skenën në mes.
Ky reagim nuk i ka pëlqyer aspak Tarantinos, i cili sipas Dern iu drejtua aktorit me ton të ashpër.
Brad, çfarë bëre tani?
-mësohet t’i ketë thënë fillimisht regjisori. Pasi Pitt shpjegoi arsyen e ndërprerjes, Tarantino shpërtheu:
Mos e ndërpre kurrë më në jetë një skenë, përndryshe je i mbaruar në këtë profesion. Kjo është puna ime. Mos e ndërpre aktrimin
-thuhet se deklaroi ai.
Pas momentit tensionues, ekipi vijoi normalisht punën dhe skena u realizua pa probleme të tjera.
Megjithatë, burime pranë produksionit kanë mohuar se mes dyshes ka pasur konflikt serioz.
Sipas raportimeve të Unilad, marrëdhënia mes Tarantinos dhe Brad Pitt mbetet shumë e mirë, ndërsa aktori e konsideron regjisorin një nga bashkëpunëtorët e tij më të preferuar në Hollywood.



