Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Apple duket se më në fund ka kuptuar një gjë shumë të thjeshtë: në vitin 2026 njerëzit nuk duan vetëm telefon. Duan telefon, AI, psikolog, fotograf, sekretar dhe ndonjëherë edhe astrolog. Dhe tani kompania po përgatitet ta kthejë iPhone-in në një lloj “bufeje artificiale” ku zgjedh vetë trurin që do përdorësh.
Sipas raportimeve, me ardhjen e iOS 27 përdoruesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes modeleve të ndryshme të Inteligjencës Artificiale direkt në iPhone. Pra imagjino Siri-n si një menaxhere lokali që të pyet: “Sot do ChatGPT, Google apo Anthropic me menunë?”
Funksioni i ri quhet “Extensions” dhe do të lejojë AI të ndryshem të lidhen me Siri-n, Writing Tools, Image Playground dhe funksione të tjera të sistemit. Praktikisht, Apple po bën atë që bën çdo shqiptar kur nuk i ecën me një kompani interneti: “Hajde provojmë tjetrin.”
Deri tani Apple është parë si pak mbrapa në garën e AI. Konkurrentët po hedhin miliarda në servera dhe superkompjuterë, ndërsa Apple dukej sikur po meditonte në qoshe me një matcha. Por strategjia e tyre është tjetër. Në vend që të ndërtojë gjithë botën e AI nga zero, po mundohet ta kthejë hardware-in ekzistues në eksperiencë inteligjente.
Dhe ka ironi këtu. Apple, kompania që për vite të tëra donte kontroll absolut mbi çdo gjë, tani po hap derën për AI nga kompani të tjera. Është si ai perfektionisti që më në fund pranon ndihmë për të montuar dollapin IKEA pas 7 orësh lufte me dërrasat dhe me 3 vida të tepërta.
Pra në thelb, Apple po hyn në një epokë të re ku pyetja nuk do jetë më “Çfarë iPhone ke?”, por “Cilin tru artificial ke aktivizuar sot?”
https://www.youtube.com/watch?v=Y3m4w10KyEY



