Debati për Propozim-ligjin, me procedurë të shkurtuar, për huamarrjen e Maqedonisë në vlerë prej 260 milionë eurosh nga një konsorcium prej 8 bankash, dje më 19 maj u bllokua në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet, të cilin e kryeson Sanja Lukarevska nga LSDM-ja, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.
Sipas Ministrisë së Financave, huaja merret për “nevoja të përgjithshme buxhetore, përfshirë financimin e shpenzimeve kapitale dhe rifinancimin e detyrimeve të përcaktuara në Buxhet”. Ende pa u vendosur propozimi në rend dite në Komision, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, doli me kritika për huan e planifikuar, ndërsa gjendjen në buxhet e vlerësoi si shqetësuese.
“Deficiti po rritet, inflacioni po rritet. Dallimi mes anës së të hyrave dhe asaj të shpenzimeve është shumë i madh (...) Për herë të parë shteti nuk merr aq para sa ka kërkuar nga bankat. Të mos merren aq para sa ka kërkuar shteti – kanë kërkuar 300, ndërsa kanë marrë 260 milionë euro – me normë të lartë interesi dhe jo nga një, por nga më shumë institucione financiare, kjo deri më tani nuk ka ndodhur. E gjithë kjo tregon se kjo pushtet e udhëheq shtetin në mënyrë katastrofale dhe se na pret kolaps financiar”, akuzoi Filipçe, duke vlerësuar se nuk ka tregues më të madh se është dëmtuar rejtingu kreditor i vendit.
Dje akuzat vazhduan me të njëjtin ton.
“Ju po e bllokoni të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne nuk do të bëjmë atë që bëni ju, por me argumente do t’ju dëshmojmë se kjo që po bëni është e dëmshme për gjeneratat e ardhshme”, tha Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja.
Nuk ka hapësirë të mjaftueshme
Megjithatë, nuk pati përballje reale mes argumenteve të opozitës dhe pushtetit. Fillimisht u tha se salla ku po mbahej mbledhja e Komisionit nuk ishte e mjaftueshme për praninë e të gjithë folësve të interesuar, pas çka një pjesë e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dolën nga salla për t’u liruar vend. Por, edhe pas pauzës, kryetarja e Komisionit nuk u kthye për ta vazhduar seancën.
Pas këtij epilogu, deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan se opozita, me arsyetime banale, po shmang fillimin e debatit në Komision dhe dëgjimin e argumenteve për huan, të lidhura me funksionimin e shtetit.
“Po dëshmojmë një qasje të papërgjegjshme dhe të paqëndrueshme nga ana e BDI-së, LSDM-së, Venko Filipçes dhe gjithë opozitës – me arsyetime banale se nuk kishte vend ku të uleshin dhe justifikime të ngjashme – vetëm që të mos fillojmë me punë në Komision”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.
Borxhi i kujt po mbulohet?
Përpjekjen për t’i vënë “stop” huamarrjes, opozita prej kohësh e shpjegon me vlerësimin se “tavani” i borxhit është tejkaluar prej kohësh. Sipas Filipçes, borxhet e përgjithshme nga viti 2024 deri më sot janë rritur për 2 miliardë euro të reja.
“Nga 8,4 miliardë euro, sa ishte huamarrja e vendit, borxhi rritet në 11 miliardë euro. Këtu hyn edhe huaja kriminale me para kineze përmes Hungarisë prej një miliard eurosh. Po përdoren të gjithë mekanizmat për të nxjerrë para nga buxheti drejt firmave partiake të VMRO-së dhe asgjë tjetër nuk është thelbi i këtij lloji të huamarrjes në dy vitet e fundit”, akuzoi kryetari i LSDM-së.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, u tregoi partive të qeverisë së mëparshme se sa duhet të paguajë qeveria aktuale për huamarrjet e tyre, vetëm gjatë këtij viti.
“Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, vetëm në bazë të euroobligacioneve që i ka marrë LSDM-ja së bashku me BDI-në, duhet të kthejë gjithsej 2,4 miliardë euro. Për vitin 2026, borxhi i përgjithshëm që duhet ta shërbejë shteti është në vlerë prej 2,4 miliardë eurosh”, theksoi ai.
Bashkëpartiaku i tij, deputeti Ljupço Prenxhov, paraqiti të dhënën se kur LSDM-ja e mori pushtetin në vitin 2017, zëri për kamatat në kuadër të buxhetit të atëhershëm ishte 133 milionë euro, ndërsa, sipas tij, vendin e la me dyfish më shumë.
“Pra, 133 milionë euro – aq paguante ky shtet për kamata dhe ishte i ngarkuar me borxhe nga të gjitha qeveritë së bashku deri në paraqitjen e Zoran Zaevit në skenën politike (...), ndërsa ata e lanë me 323 milionë euro. Dyfish. Kjo është çështja se kush e ka futur Maqedoninë në borxhe”, tha Prenxhov në një paraqitje në TV Kanal 5.
Ditë e re, huamarrje e re
Kush është futur më shumë në borxhe dhe për çfarë? Sipas Prenxhovit, ciklet e rifinancimit të kredive të marra nga LSDM-ja kur ishte shumicë kanë qenë: ditë e re, huamarrje e re.
“Jeni futur në borxh në mars të vitit 2024 – 99 milionë për gazifikim rajonal, pastaj Programi për Qëndrueshmëri dhe Rezistencë – 50 milionë, po atë javë jeni futur në borxh 90 milionë për Marrëveshje huaje të bazuar në politika të Republikës së Maqedonisë, ndërsa javën pasuese jeni futur në borxh edhe me 100 milionë euro për stabilitet makrofinanciar”, rikujtoi Prenxhov.
Ai bëri edhe krahasim të raportit mes rritjes ekonomike dhe deficitit gjatë viteve të kaluara.
“Deficiti është më i keqi në periudhën 2019-2023, ndërsa është më i miri në periudhën 2024-2025. Kemi rritje prej 3,5% dhe deficit prej 4%. Kur ju keni qenë shumicë qeverisëse, kemi pasur rritje prej 2,8% dhe deficit prej 4,5%”, krahasoi deputeti i VMRO-DPMNE-së.
Interes i favorshëm apo i pafavorshëm?
Nga shumica i hedhin poshtë kritikat për mosbesim ndaj rejtingut kreditor dhe për normë të lartë interesi.
“Kemi dërguar ofertë deri te rreth 15 banka, ndërsa nga 8 kemi marrë përgjigje. Kemi normë interesi prej 2,1%, që është më e ulëta me të cilën është futur në borxh ndonjë shtet”, theksoi Prenxhov.
Përplasjet më të mëdha edhe më tej pritet të zhvillohen rreth pyetjes se për çfarë do të përdoret huaja.
“Bëhet fjalë për mjete me të cilat duhet të sigurohet pagesa në kohë dhe realizimi i politikave të rëndësishme për qytetarët – të ardhura më të larta në arsim, shëndetësi, sektorin publik, ndërtim dhe rikonstruksion i infrastrukturës, shkollave, spitaleve dhe projekteve të tjera”, sqaroi Stojanoski nga VMRO-DPMNE-ja.
“Nëse vjen puna të futemi në borxh për të pasur paga në shtet, atëherë si jemi ne ekonomia e tretë në Evropë?”, pyeti deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
LSDM kërkon përgjigje
Nga LSDM-ja paralajmërojnë se do të kërkohen përgjigje konkrete se për cilat qëllime do të destinohen paratë nga huaja.
“Ne, LSDM-ja, thamë se jemi kundër kësaj huamarrjeje sepse nuk kemi pasqyrë të qartë se ku po përdoren këto mjete financiare. Vlerësojmë se procedura e shkurtuar për miratimin e ligjit nuk është e përshtatshme në kushte të këtilla dhe se në çdo mënyrë të mundshme duhet t’i tërhiqet vëmendja shumicës parlamentare, ministrit të Financave dhe Qeverisë në përgjithësi se – njerëz, nuk mund të na futni në borxh pa e ditur se për çfarë po na fusni në borxh, jo vetëm neve, por edhe gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Spasovski në një paraqitje në 4TV.
Nga shumica paralajmërojnë se do të ndërmarrin gjithçka që është në kuadër të Rregullores dhe ligjeve për ta zhbllokuar procesin.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni nuk do të lejojnë që kalkulimet politike dhe interesat ditore politike ta rrezikojnë funksionimin e shtetit dhe realizimin e projekteve që janë të rëndësishme për qytetarët”, porositi Stojanoski.
Ata i bënë thirrje LSDM-së dhe BDI-së të tregojnë përgjegjësi dhe t’u mundësojnë institucioneve të punojnë.(PressOnline.al)



