A janë funksionarët e BDI-së të paprekshëm për drejtësinë dhe si po shtrëngohet rrethi rreth Abazit

featured
Press Online
21 Maj 2026, 13:13

Në opinion ekziston një mit politik se funksionarët e BDI-së janë të paprekshëm, përkatësisht se asnjë politikan i kësaj partie nuk ka dhënë përgjegjësi para ligjit në raste të korrupsionit të lartë apo krimit të organizuar. E vërteta është se ka funksionarë të BDI-së të akuzuar dhe të dënuar, madje në disa lëndë, por shumica prej tyre vijnë nga nivelet më të ulëta të pushtetit. Prandaj, praktikisht, nuk ka pothuajse asnjë “peshk të madh” që ka përfunduar pas grilave.

Kthimi i Artan Grubit në Maqedoni pas rreth një viti arratisjeje, mundësia për hapjen e proceseve të reja gjyqësore, si dhe shtrëngimi i rrethit rreth Islam Abazit, të cilin pushteti e akuzon se nuk ka vepruar në mënyrë të duhur, hapin mundësinë për rrëzimin e mitit për të paprekshmit e BDI-së. Megjithatë, ekzistojnë dyshime të forta se edhe këtu, si në shumicën e rasteve të tjera, mund të ketë ndonjë marrëveshje politike që do ta anashkalonte shtetin e së drejtës, shkruan faktor.mk , përcjell PressOnline.al

Abazi, simboli i fundit i prokurorisë së Zaevit dhe Ahmetit

Islam Abazi në vitin 2022 u zgjodh shef i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai e pasoi prokuroren që ndiqte korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, por e cila, pas kontroversave në opinion, humbi si mbështetjen politike, ashtu edhe përkrahjen e kolegëve. Për Abazin u shpërndanë fotografi ku ai shihej në shoqëri të afërt me politikanë dhe familjarë të funksionarëve më të lartë të BDI-së, ndërsa u theksua edhe vendlindja e tij, duke e lidhur atë me familjen Ahmeti.

Si shef i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ai vazhdoi të punojë në lëndët që nuk ishin përfunduar nga ish-Prokuroria Speciale Publike e Katica Janevës. Gjatë mandatit të tij u hapën edhe hetime të reja, veçanërisht për lëndë që lidhen me krimin e organizuar financiar, ndërsa një pjesë e tyre arritën deri në vendime gjyqësore me dënime me burg dhe gjoba.

Megjithatë, ajo që më së shumti bie në sy është mosngritja e aktakuzave ndaj funksionarëve të BDI-së apo familjarëve të politikanëve të kësaj partie. Zhurma e madhe rreth furnizimit me mazut, për të cilin ekzistonin dyshime se e kishte dëmtuar shtetin për 160 milionë euro, përfundoi me lirimin nga ndjekja penale të Asmir Jahoskit, pronar i kompanisë së naftës “Pucko Petrol” dhe djali i deputetit Ismail Jahoski nga radhët e BDI-së, si dhe të Ardijan Muçës, ish-drejtor sektori në EMV. Në këtë rast i dyshuar ishte edhe Erxhan Sulkoski, po ashtu nga Kërçova dhe partner biznesi i Kushtrim Smajlajt, dhëndrit të Ali Ahmetit.

Ky është edhe një goditje tjetër publike ndaj qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, e cila premtoi se pas ndryshimit të pushtetit do të zbardheshin të gjitha dyshimet për korrupsion, se do të pasonin reforma në gjyqësor dhe, ashtu siç kërkuan, arritën edhe shkarkimin e ish-prokurorit publik shtetëror Ljupço Kocevski.

Abazi po përballet me presion të shtuar, para së gjithash nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe politikanë të tjerë të rëndësishëm, veçanërisht pasi prokuroria e tij nuk ngriti aktakuzë pas më shumë se një viti hetime, në të cilat ishin të përfshirë edhe Ratko Kapushevski, ish-funksionar nga radhët e VMRO-DPMNE-së, dhe Vasko Kovaçevski, ish-drejtor i SHA EMV nga radhët e LSDM-së.

Mes ligjit dhe marrëveshjeve politike

Pa korrigjimin e dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet në Kodin Penal, të cilat mundësuan një amnisti të heshtur për shumë funksionarë të garniturave të mëparshme qeverisëse, dhe pa një reformë gjithëpërfshirëse të gjyqësorit që nuk do të mbetet vetëm në ndërrime personale në pozitat drejtuese, rastet për të cilat ekzistojnë dyshime se janë keqpërdorur qindra miliona euro nga paratë e shtetit do të mbeten efektivisht në sirtar.

BDI lundroi me sukses në epokën e “bombave të Zaevit” dhe ekzistonte përshtypja publike se Ahmeti ishte kursyer për ta pasur më të lehtë ta braktiste “martesën e interesit me Gruevskin” dhe më pas, në vitin 2017, të formonte qeveri me LSDM-në. Edhe pse nga ish-Prokuroria Speciale Publike u hapën disa lëndë, vendime gjyqësore pati vetëm për funksionarë të nivelit lokal dhe nga eshalonet më të ulëta, ndërsa për ministra, kryetarë komunash dhe drejtorë të institucioneve publike nuk pati asnjë procedurë.

Tani, megjithatë, BDI nuk e ka më atë vlerë politike përdorimi si “siguresë” në marrëdhëniet qeveritare. Pas më shumë se dy vitesh funksionimi të qeverisë së drejtuar nga Mickoski, nuk ka asnjë shenjë se partia e Ahmetit do ta “ndërrojë klubin” dhe do t’i bashkohet pushtetit. Këtë narrativ shpesh e përdorte edhe LSDM-ja, duke folur për një marrëveshje të supozuar për bashkëpunim parazgjedhor me retorikë të theksuar nacionaliste, e cila shërben për rritjen e rejtingut të Mickoskit dhe Ahmetit.

Komoditeti që gëzon VMRO-DPMNE-ja për shkak të mungesës së një opozite cilësore nuk do të zgjasë shumë, veçanërisht nëse bie në të njëjtin provim sa i përket perceptimit për korrupsionin në shoqëri dhe pandëshkueshmërisë së “peshqve të mëdhenj”. Në këtë pikë nuk ndihmojnë as marrëveshjet politike, as koalicionet.

Në fakt, këtë e pa mirë edhe LSDM-ja me humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale. Po ashtu, edhe BDI, pas më shumë se 20 vitesh në pushtet, më në fund u ndëshkua nga votuesit shqiptarë në Maqedoni, pikërisht në momentin kur u hapën dyshimet për keqpërdorime në furnizimet publike dhe marrëveshjet në nivel komunal dhe qendror, tenderë të dyshimtë në Lotarinë Shtetërore, Korridorin 8, fondet pensionale, postën, marrjen e hoteleve dhe qendrave tregtare, si dhe pasurimin personal.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter