Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar tërheqjen publike të deklaratave të bëra ndaj tij në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Në të njëjtën kohë, Lushtaku ka paralajmëruar inicimin e padisë civile nëse kërkesat e tij nuk përmbushen brenda 24 orëve.
Kërkesa është hartuar nga avokati i tij, Labinot Vata, ku thotë se deklaratat e Kurtit janë shpifëse, tendencioze dhe kanë dëmtuar reputacionin publik të klientit të tij.
Në emisionin e përmendur, Kurti kishte deklaruar se kryetari i Komunës së Skenderajt, me veturë zyrtare, kishte tentuar të ndërpriste në mënyrë të dhunshme qarkullimin e eskortës së tij dhe se kishte pasur “tentim për rrezik”, gjatë një situate që pretendohet se ka ndodhur në periudhën e fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit.
Sipas kërkesës së dërguar, pala e Lushtakut konsideron se përdorimi i shprehjeve si “ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni”, “ta ndërpresë qarkullimin në mënyrë të dhunshme” dhe “ka pasur tentim për rrezik”, i atribuon atij sjellje të rrezikshme dhe potencialisht kriminale, pa ekzistencën e ndonjë vendimi gjyqësor apo prove të konfirmuar ligjërisht.
Në dokument theksohet se deklarime të tilla, të bëra nga një figurë e lartë shtetërore dhe në një medium me shikueshmëri të lartë, kanë ndikim të madh në opinionin publik dhe dëmtojnë rëndë figurën publike të Lushtakut.
Duke u bazuar në Ligjin për Shpifjen dhe Fyerjen, avokati Vata ka kërkuar nga Kryeministri Kurti që të tërheqë deklaratat, të publikojë sqarim dhe përmirësim, të kërkojë falje publike dhe të përmbahet nga deklarata të ngjashme në të ardhmen.
Në kërkesë gjithashtu specifikohet se këto veprime duhet të ndërmerren brenda afatit prej 24 orësh nga pranimi i saj, përndryshe pala e Lushtakut paralajmëron nisjen e procedurave gjyqësore për kompensim të dëmit moral dhe reputacional.



