Kosova nis hapat për themelimin e Xhandarmërisë

featured
Press Online
19 Maj 2026, 10:35

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është ndërmarrë hapi i parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, përmes krijimit të një grupi punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet e funksionimit të këtij mekanizmi të ri të sigurisë.

Sveçla përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se Xhandarmëria do të funksionojë si agjencion në kuadër të Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë së shtetit.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se ky mekanizëm do të angazhohet në mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

Sveçla tha se Xhandarmëria e Republikës së Kosovës pritet të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të Kosovës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter