Sherpa nepalez vendos rekord historik, ngjitet në Everest për herë të 32-të!

featured
Press Online
18 Maj 2026, 11:24

Një udhërrëfyes i njohur nga grupi etnik Sherpa nga Nepali ka vendosur një rekord të ri historik, pasi është ngjitur në malin Everest për herë të 32-të, duke thyer rekordin e tij të vitit të kaluar. Kami Rita Sherpa, 56 vjeç, arriti majën më të lartë në botë, 8 mijë e 849 metra, të dielën në mëngjes, ndërsa shoqëronte një grup alpinistësh të huaj nga kompania “14 Peaks Expedition”. Departamenti i Turizmit i Nepalit e ka përgëzuar atë për këtë “moment historik”, duke vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit malor në vend.

Sipas autoriteteve, Kami Rita Sherpa e arriti majën në orën 10:12 të paradites. Në të njëjtën ngjitje, një tjetër Sherpa, Lakhpa 52 vjeçe, ka shënuar gjithashtu një rekord personal, duke u ngjitur për herë të 11-të në Everest, më shumë se çdo grua tjetër deri më sot. Kami Rita Sherpa ka lindur në fshatin Thame në distriktin Solukhumbu, e njëjta vendlindje me legjendën e alpinizmit Tenzing Norgay, i cili së bashku me Edmund Hillary-n realizoi ngjitjen e parë historike të Everestit në vitin 1953.

56-vjeçari e bëri ngjitjen e parë në Everest në vitin 1994 dhe që atëherë ka vazhduar pothuajse çdo vit, me përjashtim të viteve 2014, 2015 dhe 2020, kur ekspeditat u ndërprenë për arsye të ndryshme. Në disa sezone, ai është ngjitur edhe dy herë në majë. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 8 mijë persona kanë arritur majën e Everestit që nga ngjitja e parë historike. Ndër alpinistët që nuk i përkasin grupit etnik Sherpa, rekordin e mban britaniku Kenton Cool me 19 ngjitje, i ndjekur nga amerikanët Dave Hahn dhe Garrett Madison me nga 15 ngjitje secili.

Udhërrëfyesit Sherpa luajnë një rol kyç në ekspeditat drejt Everestit, duke siguruar jo vetëm suksesin e ngjitjeve, por edhe të ardhura të rëndësishme për komunitetet lokale në rajonin Solukhumbu. Për sezonin e këtij viti, autoritetet nepaleze kanë lëshuar 492 leje ngjitjeje për Everestin, ndërsa deri tani janë raportuar edhe tre viktima në mal gjatë këtij muaji.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter