Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut është bërë sërish shkak për përplasje politike mes pushtetit dhe opozitës. Ndryshimet kushtetuese dhe agjenda reformuese kanë rikthyer debatet e ashpra mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, shkruan PressOnline.al.
Nga LSDM akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski se po kërkon alibi për mosrealizimin e reformave, ndërsa nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen duke akuzuar partinë e Venko Filipçes se është vendosur në shërbim të interesave të Bullgarisë.
Sipas LSDM-së, pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë përparim drejt Bashkimit Evropian. Nga kjo parti theksojnë se çështja e përfshirjes së pakicave në Kushtetutë nuk ka të bëjë vetëm me bullgarët, por edhe me të gjitha komunitetet tjera në vend.
“Por Mickoski nuk dëshiron ta thotë gjënë kryesore. Pa ndryshime të Kushtetutës, pa pakicat në Kushtetutë, nuk ka as 7, as 8, as 9.5 apo 10 pika të përmbushura. Nuk ka asgjë! Ne nuk negociojmë me Bullgarinë, por me BE-në, me të gjitha 27 shtetet anëtare dhe kusht janë pakicat. Pakicat nuk janë vetëm bullgarët, por edhe serbët, kroatët, romët, boshnjakët, turqit, shqiptarët dhe të tjerët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE, ndërkaq, thonë se Maqedonia e Veriut duhet të marrë garanci të qarta se ndryshimet kushtetuese do të jenë kërkesa e fundit në rrugën evropiane. Sipas tyre, anëtarësimi në BE duhet të jetë dinjitoz dhe pa lëshime të reja identitare.
Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE akuzoi se Zoran Zaev dhe Venko Filipçe janë vendosur në shërbim të Bullgarisë për shkak, siç tha ai, të shantazheve nga politikanë bullgarë lidhur me të kaluarën e tyre kriminale.
“Për Zoran Zaevin dhe Venko Filipçen, termi ‘maqedonas verior’ është krenari dhe sukses i politikës së tyre, e cila na solli në një situatë ku të tjerët tallen me ne, na nënvlerësojnë dhe na shohin si të nënshtruar”, deklaroi Manasievski.
Ndërkohë, gjatë javës së kaluar u zhvillua edhe komunikimi i parë mes ministrit të Jashtëm, Timço Mucunski dhe ministres së re të Jashtme bullgare, Çamova, pas së cilës drejt Sofjes u dërgua një notë diplomatike.
Çamova nga Brukseli deklaroi se kishte pasur takim me Mucunskin dhe se ia kishte përcjellë qëndrimin bullgar “partnerëve maqedonasoveriorë”. Nga ana tjetër, Mucunski tha se bëhej fjalë për një bisedë njëminutëshe dhe jo për takim, duke e cilësuar termin “maqedonasoveriorë” si të papërshtatshëm.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme i është dorëzuar notë verbale ambasadorit bullgar Radukov, ndërsa deri më tani nuk ka përgjigje zyrtare nga Sofja. (PressOnline.al)



