Analisti politik, Bekim Kabashi, ka deklaruar se sulmi fizik ndaj kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj është i papranueshëm dhe pa asnjë justifikim.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Kabashi, në Dukagjin, u shpreh se ngjarja po shfrytëzohet politikisht, duke e lidhur atë me tensionet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, veçanërisht në periudhë fushate.
“Zhvillimi kryesor që ka ndodh është që kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj është sulmu dje fizikisht nga lidershipi politik i komunës së Skenderaj, nuk e dimë saktë nëse veprën e ka kryer direkt kryetari i komunës, Sami Lushtaku, apo vartësitë e tij – por pavarësisht kësaj mendoj se është e papranueshme dhe nuk ka asnjë justifikim dhuna që shkaktohet. Mehani është opozitë e zotëri Lushtakut në Skenderaj, por edhe nëse do të ishte qytetar në asnjë mënyrë nuk justifikohet dhuna që shkaktohet nga një kryetar komune”, u shpreh Kabashi.
Sipas tij, grumbullimi i qytetarëve në Skenderaj është rezultat i përplasjeve politike dhe jo çështje e rendit dhe ligjit.
“Pastaj pjesë tjetër është se si përdoret politikisht – grumbullimi i qytetarëve sot në Skenderaj është si rezultat i betejës politike dhe nuk ka të bëjë aspak me rendin e ligjin. Lushtaku është qytetari më i mbrojtur i Skenderajt si nga Policia e Prokuroria pasi një trajtim të tillë s’mund të marrë dikush tjetër. Pas gjithë kësaj është beteja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës duke e pasur parasysh që jemi në kohë fushate. Mendoj që PDK-së nuk iu ka dashur kjo është e dëmshme veprimi që ka bërë zotëri Lushtaku pavarësisht veprimeve provokuese që mund të vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje”, thotë Kabashi.
Ai theksoi se, pavarësisht provokimeve të mundshme politike, veprimet e dhunshme nuk mund të arsyetohen dhe duhet të trajtohen nga institucionet e drejtësisë.
https://www.youtube.com/watch?v=Y4BIIFabzvM



