Bashkësia Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut ka filluar përcjelljen e qytetarëve për në Xheda të Arabisë Saudite, ku qytetarët e fillojnë udhëtimin për vendet e shenjta për të kryer obligimin e pestë të Islamit, Haxhin.
“Duke filluar me haxhilerët e Myftinisë së Shkupit, brenda shtatë ditëve në vijim do të realizohen udhëtimet e haxhilerëve drejt Mekës së Nderuar për kryerjen e këtij obligimi madhështor fetar”, raportoi BFI-ja, duke përkujtuar që çdo grup përfshin 180 udhëtarë.
Fluturimi i fundit do të realizohet më 21 maj, sikurse edhe fluturimet tjera nga Shkupi për në Xheda.
Ndryshe, këtë vit në haxh dhe për vizitë në vendet e shenjta myslimane, nga vendi ynë, do të shkojnë mbi dy mijë besimtarë, që është numër identik me vitin e kaluar.
Sa i përket moshës, më i moshuari është një 75-vjeçar. Çmimi për aranzhim për Haxh është 6.700 euro, që është më i lartë për 250 euro në krahasim me vitin e kaluar.



