Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet në vendimin e 24 korrikut 2024 që lidhet me funksionimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë.
Vendimi u aprovua gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, pas kërkesës së Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Albin Kurti deklaroi se procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës mbetet çështje me rëndësi të veçantë institucionale dhe shoqërore, duke theksuar se ai lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë, dinjitetin dhe mbështetjen për të mbijetuarit.
Sipas Kurtit, ndryshimet kanë të bëjnë me përbërjen e komisionit, përmes emërimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe MPFVLÇ.
Ndërkohë, ministri në detyrë i MPFVLÇ-së, Andin Hoti, tha se ndryshimet janë të nevojshme për funksionalizimin e plotë të komisionit dhe vazhdimësinë e trajtimit institucional të rasteve.
Ai bëri të ditur se propozim-vendimi mbështetet në nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-172, i cili ndryshon dhe plotëson Ligjin 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e kategorive të mbrojtura me ligj.
Hoti sqaroi se përfaqësuesit aktualë të deleguar nga Ministria e Drejtësisë dhe MPFVLÇ nuk janë më pjesë e komisionit, çka ka bërë të domosdoshëm zëvendësimin e tyre me anëtarë të rinj, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës dhe trajtimi institucional i rasteve.



