Në ndeshjen gjysmëfinale në transfertë ndaj Gençlerbirligi, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, në minutën e 92-të të sfidës, mori topin në të majtën dhe lëshoi një gjuajtje spektakolare e cila përfundoi në trekëndëshin e largët të portës së ekipit vendas.
Ky gol vulosi suksesin 2-1 dhe çoi Trabzonsporin në finalen e Kupës, duke i dhënë mundësinë ekipit për një tjetër trofe.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të arritur finalen. Ndeshjet jashtë fushe janë gjithmonë të vështira. Të luash me lojtarë të rinj e bën edhe më të vështirë. Objektivi ynë ishte të arrinim finalen dhe të fitojmë Kupën. Po kalojmë një sezon të madh dhe tifozët tanë e meritojnë Kupën”, tha fillimisht Muçi pas ndeshjes që u zgjidh me golin e tij.
Ai u pyet më pas për diskutimet e merkatos dhe futbollisti pranoi se për momentin nuk ka asnjë vendim përfundimtar. “Unë jam i lumtur këtu. Por as unë nuk di asgjë. Do të jetë një vendim i Trabzonsporit, mendoj ka kohë deri më 20 maj… Më pas, do të shohim. Unë jam i lumtur këtu, por të shohim se çfarë na pret në të ardhmen”, tha sulmuesi shqiptar.



