“Adolescence” mund të mos rikthehet me një sezon të dytë, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që ka arritur në publik dhe në BAFTA TV Awards.
Krijuesi dhe skenaristi i serialit, Jack Thorne, ka shuar zërat për vazhdimin e historisë, duke deklaruar se rrëfimi i familjes Miller tashmë është përfunduar dhe nuk ka nevojë për një rikthim tjetër.
Në një intervistë për Metro, Thorne u shpreh se çdo tentativë për të vazhduar serialin do të rrezikonte të dëmtonte forcën emocionale të historisë ekzistuese.
Çdo përpjekje për t’u rikthyer në të do ta dobësonte historinë që kemi treguar tashmë
Skenaristi 47-vjeçar, i cili e krijoi serialin bashkë me Stephen Graham, foli gjithashtu për idenë e një projekti të ri të fokusuar te “femosfera”, e konsideruar si versioni femëror i “manosferës”.
Megjithatë, ai pranoi se nuk ndihet personi i duhur për ta trajtuar një histori të tillë.
Mezi pres që dikush tjetër të bëjë një serial rreth kësaj teme
-u shpreh ai.
Seriali me katër episode, që trajton ndikimin e kulturës online “manosferë” mbi një adoleshent të akuzuar për vrasje, u kthye në një nga produksionet më të suksesshme të “Netflix” gjatë vitit.
Në ceremoninë e fundit të BAFTA TV Awards, “Adolescence” dominoi mbrëmjen duke fituar çmime të rëndësishme, përfshirë Dramën e Limituar më të Mirë, si edhe çmime për aktorët protagonistë dhe mbështetës.
Gjatë fjalimit të tij emocionues, Stephen Graham tha se kjo ishte hera e parë që fitonte një çmim BAFTA, edhe pse kishte qenë i nominuar tetë herë më parë.
Ndërkohë, Owen Cooper, vetëm 16 vjeç, u bë një nga fituesit më të rinj në historinë e ceremonisë prestigjioze.



