Te Barcelona po vazhdojnë të vijnë lajme pozitive. Klubi blaugrana ka arritur një marrëveshje verbale me trajnerin Hansi Flick për rinovimin e kontratës deri më 30 qershor 2028, me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet vetëm në fund të sezonit, pasi aktualisht fokusi i skuadrës është te objektivi për të fituar tre ndeshjet e mbetura dhe për të arritur kuotën e 100 pikëve, një synim që vetë Flick e ka përmendur edhe në konferencën e fundit për shtyp.
Brenda klubit nuk ka pasur asnjë dyshim për vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin gjerman, i cili, megjithatë, ka preferuar të presë për momentin e duhur, duke e konsideruar prioritet mbylljen e sezonit.
Flick thuhet se është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer në ambientin e FC Barcelona, ku ndihet si në shtëpi. Ai gëzon respekt të madh nga lojtarët, të cilët e shohin si një figurë udhëheqëse, si dhe mbështetje të fortë nga tifozët. Po ashtu, ai është në harmoni të plotë me presidentin Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco.



