Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Koalicionit për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës, një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Kanadasë.
Gjatë takimit, ministri Hoxha theksoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë ndaj Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, duke riafirmuar qëndrimin parimor të vendit tonë për mbrojtjen e fëmijëve të rrëmbyer dhe të deportuar në mënyrë të paligjshme, shkruan rtsh.al, raporton KlanKosova.tv.
“Rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas përbën një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga mizoritë më të neveritshme të kësaj lufte”, deklaroi Hoxha. Ai shtoi se llogaridhënia dhe drejtësia duhet të jenë në thelb të përgjigjes kolektive ndërkombëtare.
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje për të siguruar kthimin e sigurt, të menjëhershëm dhe dinjitoz të çdo fëmije ukrainas te familjet e tyre dhe në atdheun e tyre. “Asnjë fëmijë nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e luftës, zhvendosjes së detyruar apo ndarjes nga njerëzit e tyre të dashur”, përfundoi ministri.



