INTERVISTA/ Paulin Metaj: Shpresoj që Besëlidhja të rikthehet sezonin e ardhshëm në Superiore

featured
Press Online
05 Maj 2026, 21:56

Nga Engjell GJOLAJ

Paulin Metaj është një nga emigrantët e parë të larguar nga Shëngjini drejt Italisë, së bashku me qindra bashkëqytetarë të tij, në kërkim të një jete më të mirë. Edhe pse larg vendlindjes, ai mbetet i lidhur fort me Lezhën dhe, mbi të gjitha, me ekipin e zemrës – Beselidhjen, të cilin e uron për rikthimin në Kategorinë e Parë.

I lindur më 4 dhjetor 1963 në Lezhë, Metaj ka përfunduar shkollën mekanike në Shkodër dhe ka punuar si specialist në ish-Fabrikën e Letrës në qytetin e tij. Përveç profesionit, një pjesë e rëndësishme e jetës së tij ka qenë gjithmonë futbolli. Të gjithë e njohin atë si një nga tifozët e zjarrtë të Besëlidhjes dhe ndërkohë ka pranuar me kënaqësi të japë një intervistë për Gazeta “Shkodra Sport”:

– Si lindi pasioni juaj për Beselidhjen?
Kam shumë arsye pse jam tifoz i Beselidhjes. Jam rritur dhe kam jetuar për vite me futbollistë si Fehmi Rama, Gëzim Hasku, Gjergj Filipi, Agron Reçi dhe i ndieri Zef Doda, që ishte edhe djali i tezes sime. Të gjithë jetonim në lagjen Besëlidhja, e njohur ndryshe si “lagjja e interave”. Futbolli më ka pëlqyer që i vogël dhe kam ndjekur rregullisht edhe stërvitjet e ekipit.

– Edhe pse jetoni në Itali, e ndiqni Beselidhjen?
Po, gjithmonë. Edhe pse jam në Itali, i kam ndjekur me shumë vëmendje ndeshjet. Kemi vuajtur për këtë ekip, sepse nuk e kam parë kurrë në një gjendje si kjo e viteve të fundit, duke luajtur në Kategorinë e Dytë.

– Në çfarë gjendjeje e latë Beselidhjen kur u larguat?
Kam shumë kujtime të bukura. Ishte një ekip që luante me dinjitet ndaj skuadrave më të njohura të Shqipërisë.

– Cilat kanë qenë ndeshjet më të forta që kujtoni?
Më emocionueset kanë qenë ndaj Vllaznisë, Partizanit, Dinamos, Flamurtarit etj. Kujtoj veçanërisht fitoren 3-0 ndaj Vllaznisë dhe ndeshjen me Apoloninë, të fituar 2-1 me golin e Xhabir Grudës në fund. Janë emocione që nuk harrohen.

– Si e kujtoni publikun lezhjan?
Stadiumi ishte gjithmonë plot dhe plot entuziazëm. Tifozët ishin lojtari i 12-të, siç thuhet në futboll.

– Cilët futbollistë do të veçonit nga ajo periudhë (para viteve ’80)?
Pa dyshim: Fehmi Rama, Gëzim Hasku, Gjergj Filipi, i ndieri Zef Doda, i ndieri Nikolin Lorenci, Paulin Dede, Agron Reçi, Gjovalin Gega e të tjerë.

– Sot Beselidhja është shpallur kampione në Kategorinë e parë. Si e shihni të ardhmen?
Kam respekt dhe mirënjohje për lojtarët, stafin drejtues, presidentin Pjerin Fushaj dhe Bashkinë e Lezhës për kontributin e tyre në rikthimin e gëzimit te tifozët. Uroj me gjithë zemër që vitin e ardhshëm të shpallen kampionë dhe të ngjiten në Superiore.

– Si e shihni një Botëror pa Italinë?
Ashtu si mijëra tifozë italianë dhe më gjerë, ndjejmë një boshllëk të madh. Italia nuk e meriton të mungojë, por ja që ka ndodhur. Ka diçka që nuk shkon në futbollin italian.

Faleminderit për intervistën!

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter