Kurti: Presim opozitën të marrë pjesë në votim për presidentin e Kosovës!

featured
Press Online
02 Maj 2026, 05:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Duke hyrë në Kuvend, Kurti u pyet nga gazetarët nëse pritet të zgjidhet presidenti në seancën e sotme. Ai tha se mbetet të shihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim.

Ne bëjmë përpjekjet maksimale, tash ta shohim a po vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim.

Në Nenin 22 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës thuhet:

Deputeti ka për detyrë dhe detyrim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës është parë duke hyrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj. Partia e tij përfaqësohet me 6 deputetë në parlament.

Vigan Qorolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, u tha mediave në Prishtinë se beson se raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës “nuk është shteruar”, pasi në kuti nuk janë hedhur 80 vota.

Nuk është konstatuar se zgjedhja e presidentes është valide në këtë rast, tha Qorolli.

Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se pyeti te Lëvizja Vetëvendosje se si do të procedohet në seancën e sotme, por nuk mori përgjigje.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter