A do të marrë pjesë opozita në seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës?

featured
Press Online
02 Maj 2026, 06:28

Ende nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në seancën e orës 10:00 për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi ta propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti, në këtë rast LVV-ja, të kontrollojë tre institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, deklaroi se “është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”.

Vetë ideja që me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit, shkroi Çitaku në Facebook.

Në seancën e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, propozoi Feride Rushitin e Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.

Votimi u zhvillua edhe pse në sallë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë, siç kërkohet nga ligji në fuqi.

Rushiti, aktiviste e të drejtave të njeriut, mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.

Radio Evropa e Lirë tentoi disa herë të kontaktonte Rushitin, por pa sukses.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter