Rikthimi i Formula 1, risi dhe alarm për motin në Majami!

featured
Press Online
01 Maj 2026, 18:51

Një muaj i gjatë pritjeje që mund të peshojë sa një sezon i tërë. Një prill i pazakontë, relativisht i qetë, i ka dhënë mundësi gjithë botës së Formulës 1, nga organizatorët te skuadrat, të bëjnë një bilanc të parë të kampionatit. Kritikat nuk kanë munguar, duke ardhur si nga publiku ashtu edhe nga ekspertët. Prandaj, ka ardhur koha për rregulla të reja, që hyjnë në fuqi që në garën e Majamit.

Pilotët kishin shprehur pakënaqësi sidomos për menaxhimin e energjisë gjatë kualifikuese, duke e konsideruar atë të rrezikshëm. Për të shmangur manovrat e rrezikshme gjatë rikarikimit të baterive, kufiri për rikuperimin e energjisë elektrike është ulur nga 8 MJ në 7 MJ. Pas aksidentit shqetësues të Oliver Bearman në Japoni, i shkaktuar nga diferenca e madhe e shpejtësisë mes atyre që shtyjnë dhe atyre që rikarikojnë, janë futur edhe zona me fuqi të kufizuar elektrike, për të ulur rreziqet në segmentet e shpejta të pistës.

Mercedesi ka treguar, falë Kimi Antonelit, se e ka fatin në dorë, me makinën gjermane që aktualisht duket më konkurruesja. Ferrari ndjek nga pas, por nuk ka qëndruar duarkryq. Gjatë “Filming Day” në Monza janë testuar disa përditësime për modelin SF-26, mes tyre edhe krahu i ri i quajtur “Macarena”, që pritet të sjellë një avantazh prej 8-10 km/h. Ndërkohë, pakënaqësitë e Maks Vershtapenit nuk janë shuar, ndërsa ai ka garuar edhe në kategorinë GT. Nga ana tjetër, Aston Martin ende nuk duket se i ka zgjidhur problemet me motorin, ndërsa tashmë i gjithë fokusi do të jetë në Florida, me Çmimin e Madh të Majamit që do të mbahet këtë fundjavë.

Muaji prill u varfërua nga dy gara të planifikuara në kalendarin e Formula 1 për arsye “politike”, ndërsa fillimi i majit sjell rikthimin në pistë. Por ky rikthim vihet në pikëpyetje nga mundësia reale që të dielën mbi Majami të godasë një stuhi e fortë, e shoqëruar me rrufe. Parashikimet, në këtë drejtim, nuk janë aspak inkurajuese. Nëse për të premten dhe të shtunën pritet mot me diell dhe temperatura verore, për ditën e garës rreziku i një stuhie vlerësohet rreth 70%. Rregullat në fuqi në Florida kërkojnë ndërprerjen e aktiviteteve sportive në ambient të hapur në rast se ka rrufe në qiell.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter