Nga një punishte e vogël këpucësh në provincën kineze të Fujianit, tek një sfidues global i gjigantëve si Nike dhe Adidas. Historia e Anta Sports është një nga shembujt më domethënës të transformimit industrial të Kinës dhe ambicies së saj për të dominuar tregun global të sportit. Gjithçka nisi në fund të viteve ’80, kur themeluesi i Anta-s, Ding Shizhong, ende adoleshent, mbërriti në Pekin me 600 palë këpucë të prodhuara në fabrikën e një të afërmi. Fitimet e para i përdori për të ngritur një punishte të vogël, duke prodhuar këpucë për kompani të tjera.
Por vizioni i tij ishte më i madh. Në vitin 1991 ai themeloi Anta-n, një emër që sot është kthyer në simbol të ambicies kineze për të kaluar nga prodhimi për të tjerët, në ndërtimin e një marke globale. Rritja e kompanisë u mbështet fuqishëm nga zhvillimi industrial i qytetit Jinjiang, i njohur si “kryeqyteti botëror i këpucëve”. Zona u kthye në një qendër të specializuar prodhimi, ku u vendosën zinxhirë të plotë furnizimi për lidhëse, sholla, tekstile dhe logjistikë, duke i dhënë kompanive si Anta avantazh të madh në kosto dhe shpejtësi prodhimi.
Pikërisht aty Anta mësoi jo vetëm të prodhonte në masë, por edhe të ndërtonte identitetin e saj. Kompania filloi të hapte dyqane në gjithë Kinën, të sponsorizonte aktivitete sportive dhe të krijonte rrjetin e vet të shpërndarjes. Në vitin 2007, Anta u listua në bursën e Hong Kong-ut, duke mbledhur rreth 450 milionë dollarë, një rekord për një kompani sportive kineze në atë kohë. Sot, Anta është shumë më tepër se një markë këpucësh. Strategjia e saj është ndërtuar mbi blerje të zgjuara ndërkombëtare.
Në vitin 2009 bleu të drejtat e Fila në Kinë, duke e kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash. Në vitin 2019 mori kontrollin e Amer Sports, duke futur në portofolin e saj marka prestigjioze si Arc’teryx dhe Salomon. Gjithashtu, kompania zotëron edhe Wilson Sporting Goods dhe këtë vit bleu 29% të aksioneve të Puma. Ky model i “multi-brand” i lejon Anta-s të depërtojë në tregjet perëndimore përmes markave tashmë të konsoliduara, duke shmangur paragjykimet që shpesh shoqërojnë produktet “Made in China”.



