Aktorja britanike Danniella Westbrook ka rikthyer vëmendjen e mediave pasi u shfaq publikisht me plagë të dukshme në fytyrë, pas ndërhyrjeve të fundit kirurgjikale që po i nënshtrohet në kuadër të një procesi të gjatë rindërtimi të fytyrës.

Ish-ylli i serialit “EastEnders”, 52 vjeçe, u fotografua teksa vizitonte një sallon bukurie në Londër, ku shenjat e operacioneve të fundit ishin ende të dukshme.

Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta, pasi aktorja ka folur hapur për betejën e saj të gjatë me problemet shëndetësore dhe pasojat e viteve të vështira të së kaluarës.

Westbrook ka zbuluar së fundmi se procesi i rikonstruksionit të fytyrës së saj është ende larg përfundimit.
Sipas saj, e presin të paktën edhe gjashtë ndërhyrje të tjera gjatë 18 muajve të ardhshëm, ndërsa operacionet po kryhen çdo dy ose tre muaj.

Aktorja ka treguar se gjendja e saj është komplikuar edhe nga osteoporoza, duke zbuluar se në njërën anë të fytyrës ka humbje të konsiderueshme të strukturës kockore dhe se mjekët po planifikojnë vendosjen e një implanti metalik në zonën e faqes.

Në intervistat e fundit, ajo ka bërë edhe një rrëfim prekës për ndikimin emocional të kësaj situate, duke pranuar se ende e ka të vështirë të shohë veten në pasqyrë. Megjithatë, Danniella mbetet optimiste dhe shpreson që pas përfundimit të trajtimeve të rikthehet sërish në aktrim dhe në ekran.

Pavarësisht sfidave fizike dhe psikologjike, aktorja vazhdon të ndajë me publikun rrugëtimin e saj, duke marrë mbështetje nga fansat që e kanë ndjekur prej dekadash.







