Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, mori pjesë dhe u drejtua në forumin me temë ‘Identifikimi i prioriteteve ekologjike të Komunës së Tetovës’, të organizuar nga OJQ “Multikultura” nga Tetova, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur – Ballkani Perëndimor.
Në këtë ngjarje, e cila bashkoi përfaqësues të pushtetit qendror, vetëqeverisjes lokale dhe sektorit civil, u paralajmërua avancim sistematik i mbrojtjes së mjedisit në rajonin e Tetovës.
Në këtë forum mori pjesë edhe Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës, i cili njoftoi edhe një risi të rëndësishme në nivel lokal, Komuna e Tetovës do të jetë komuna e parë që do t’i qaset në mënyrë sistematike kësaj fushe përmes krijimit të një njësie të veçantë të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit brenda vetëqeverisjes lokale.
Një shembull i tillë duhet të ndiqet edhe nga komunat e tjera, pasi politikat nacionale të cilat i harton ministria zbatohen në nivel lokal dhe varen nga përkushtimi i vetëqeverisjes lokale.
Vetëm përmes koordinimit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal ato mund të funksionalizohen dhe të japin efekt.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri Muamet Hoxha theksoi qartë se koha e zgjidhjeve të përkohshme ka përfunduar dhe se fokusi është vendosur në projekte afatgjata dhe të qëndrueshme.
‘Tetova dhe rajoni i Tetovës janë përballur gjithmonë me sfida serioze ekologjike që zgjasin prej dekadash.
Kjo është edhe arsyeja pse sot nuk do të paraqes para jush zgjidhje të përkohshme. Tetovës i duhet një sistem që i zgjidh problemet në mënyrë të qëndrueshme, por edhe i mirëmban zgjidhjet që të mos kthehemi vazhdimisht te të njëjtat shqetësime’, potencoi ministri.
Si pjesë e hapave konkretë të ndërmarrë nga pushteti qendror, u thekësua edhe krijimi i sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave ‘Rusino’, ndërtimi i të cilit fillon këtë vit. Gjithashtu, për këtë vit është paralajmëruar fillimi i ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe përmirësimi i sistemit të ujësjellësit të qytetit, ndërsa mbrojtja e Malit Sharr, po forcohet vazhdimisht.



