Një nga figurat më ikonike të modës, Stefano Gabbana, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Dolce & Gabbana, duke shënuar një kthesë të rëndësishme për shtëpinë prestigjioze italiane.
Sipas dokumenteve zyrtare, dorëheqja është formalizuar që në dhjetor, ndërsa që prej janarit drejtimin e bordit e ka marrë Alfonso Dolce, vëllai i Domenico Dolce dhe aktualisht CEO i kompanisë.
Ky ndryshim vjen në një moment delikat, teksa marka përballet me sfida të rëndësishme financiare dhe strategjike.
Megjithatë, Gabbana nuk është larguar plotësisht nga kompania. Ai mbetet aksioner me rreth 40% të pronësisë dhe po shqyrton opsione të ndryshme për të ardhmen e këtyre aksioneve, një lëvizje që mund të sjellë ndryshime të mëdha në strukturën e pronësisë.
Paralelisht, Dolce & Gabbana po hyn në një fazë të re negociatash me kreditorët, të cilët kërkojnë një injeksion kapitali deri në 150 milionë euro, si pjesë e një plani rifinancimi që përfshin rreth 450 milionë euro borxh.
Për të përballuar situatën, kompania po shqyrton disa opsione strategjike, si shitja e aseteve të pasurive të paluajtshme dhe rinegocimi i marrëveshjeve të licencimit, me synimin për të siguruar likuiditet.
Në këtë proces janë përfshirë edhe këshilltarë financiarë të nivelit të lartë, përfshirë Rothschild & Co, çka tregon seriozitetin e situatës dhe rëndësinë e vendimeve që priten në muajt në vijim.
Ndërkohë, pritet edhe forcimi i ekipit drejtues, ku një rol kyç mund të marrë Stefano Cantino, ish-drejtues i Gucci.
Këto zhvillime sinjalizojnë një fazë tranzicioni për markën legjendare italiane, e cila për dekada ka qenë sinonim i luksit. Tani mbetet për t’u parë nëse kjo ristrukturim do të sjellë stabilitet dhe një kapitull të ri suksesi për Dolce & Gabbana.







