Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndeshjes së fundit të Përfaqësueses së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke shprehur keqardhjen për rezultatin, por edhe krenarinë për rrugëtimin e “Dardanëve”.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Kurti ka pranuar se vendi po kalon një “merak kolektiv” pas përfundimit të lojës, duke reflektuar mbi pritshmëritë e mëdha që kishte i gjithë kombi për një fitore.
“Meraku kolektiv” dhe dëshira për fitore
Kreu i ekzekutivit theksoi se zhgënjimi është i natyrshëm kur aspiratat janë të larta. “Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore,” u shpreh ai, duke shtuar se lojtarët e meritonin suksesin po aq sa tifozët.
Thirrje për mbështetje të palëkundur
Pavarësisht rezultatit të mbrëmshëm, Kurti kërkoi që të mos harrohen emocionet dhe krenaria që kjo skuadër i ka falur Kosovës ndër vite. Sipas tij, fakti që ekipi ishte aq pranë kualifikimit është dëshmi e rritjes së cilësisë së futbollit kosovar.
“Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi,” deklaroi Kryeministri.
Mirënjohje për ekipin
Në mbyllje të mesazhit të tij, Kurti ka falënderuar futbollistët, trajnerin dhe stafin teknik për angazhimin e treguar në fushë, duke përsëritur thirrjen motivuese: “Forca Kosovë!”. (INA)



