Enver Robelli
Shtetet shpallen, pastaj themelohen me të vërtetë, mandej rithemelohen e rilindin përherë, me vepra të mira, me projekte të mëdha, me suksese të mëdha, me talente e talentë që e lartësojnë namin e vendit – jo për të nënçmuar të tjerët, por për të treguar fuqinë e besimit në fitore.
Kjo që ndodhi sonte në Pressburg (toponimi gjerman i Bratisllavës) është një nga ato momentet që mund të quhen – rilindje e shtetit. Kishte dramatikë. Tension. Momente brilante. Një rilindje e vërtetë! Qielli i Kosovës po ushton sonte nga fishekzjarret dhe baruti. Barut që shpërthen nga buzëqeshja, buzagazi, bujaria dhe besimi se rilindja është e mundur, gati 30 vjet pas luftës.
Ndoshta me fitoren e sontme në Pressburg futbollistët e kombëtares së Kosovës përçojnë edhe një mesazh politik: boll më me agoni politike, boll më me polarizim, boll më me kurthe, boll më me poshtërsi në dëm të shtetit. Sepse shteti nuk janë vetëm politikanët, por janë edhe të gjithë zërat e shpirtrat që sonte gëzohen për një fitore historike.
Në vitin 2005 kombëtarja e Bregut të Fildishtë u kualifikua për herë të parë në Kampionatin Botëror. Lojtarët ranë në gjunj dhe kërkuan të ndalet lufta civile. Dhe apeli i tyre u dëgjua.
Kosova nuk është në luftë civile. Fatmirësisht. Por gjendet në një luftë të marrësh. Është mirë të dëgjohet mesazhi që erdhi sonte nga Pressburgu. Gjejeni një kandidat dinjitoz për presidente a president, zgjidheni në Kuvend. Kush e ka fituar pushtetin, nuk duhet të mendojë se këtë besim e gëzon përjetësisht. Katër vjet janë një rrahje çepallash. Në histori mbeten vetëm ata që lënë gjurmë ndershmërie dhe jo vepra poshtërsie. Kjo vlen për të gjitha partitë.
Më 31 mars dardanët përballen me … për pak të them otomanët… jo, Republikën e Turqisë, e cila ka qenë një mbështetëse e madhe e shtetndërtimit në Kosovë. Faleminderit për këtë. Pjesa tjetër është lojë. Dhe Kosova do të fitojë.


