Një 18-vjeçar në Belgjikë ka bërë një zbulim spektakolar gjatë punimeve në një ish-fabrikë birre, duke gjetur ar dhe pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë paund të fshehura brenda një muri.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht në qytetin Sint-Gillis-Dendermonde, pranë Brukselit. Kobe, një student që punonte në një projekt rinovimi, kishte shkuar në objekt së bashku me një koleg për të kryer punime në sistemin e kanalizimeve.
Rreth orës 08:15 të mëngjesit, dy të rinjtë nisën të gërmonin në një mur. Fillimisht, Kobe pa disa monedha dhe mendoi se bëhej fjalë për euro të zakonshme. Por, ndërsa puna vazhdoi, në mur nisën të shfaqeshin copëza dhe shufra ari.
Në atë moment, 18-vjeçari kuptoi se përballë tij kishte një thesar të jashtëzakonshëm.
Kobe dhe kolegu i tij punonin për organizatën bamirëse CAW Oost-Vlaanderen dhe, sapo kuptuan përmasat e zbulimit, njoftuan organizatën dhe policinë. Pas sekuestrimit, ari dhe pasuria e gjetur janë transferuar në një kasafortë të sigurisë së lartë nën mbikëqyrjen e autoriteteve belge.
Por misteri më i madh mbetet ende i pazgjidhur: kush i ka fshehur dhe kujt i përkasin këto miliona?

Sipas raportimeve, në disa prej shufrave janë të stampuara vitet 1957 dhe 1961, çka tregon se pasuria është fshehur dekada më parë. Autoritetet belge po hetojnë nëse ari mund të ketë lidhje me aktivitete kriminale të së kaluarës dhe nëse pronarët legjitimë mund të identifikohen.
Geert Hillaert nga CAW Oost-Vlaanderen ka paralajmëruar se hetimi mund të zgjasë për një kohë të gjatë, pasi fillimisht duhet të përcaktohet origjina e arit dhe lidhja e mundshme me ngjarje kriminale.
Deri në zbardhjen e historisë së saj, miliona paund në ar do të qëndrojnë të mbyllura në një kasafortë, ndërsa hetuesit përpiqen të zbulojnë pronarin misterioz të thesarit.



