Zara, marka kryesore e grupit spanjoll Inditex, ka njoftuar një bashkëpunim kreativ me stilistin britanik John Galliano, në një përpjekje për t’i dhënë një drejtim të ri estetik dhe për ta pozicionuar më lart në treg. Sipas marrëveshjes dyvjeçare, Galliano do të punojë me veshje nga koleksionet e mëparshme të Zaras, duke i transformuar ato në krijime të reja që do të publikohen në mënyrë sezonale, duke filluar nga muaji shtator.
Ky hap vjen në një kohë kur Zara synon të zgjerojë audiencën dhe të forcojë imazhin e saj si një markë më e avancuar në dizajn dhe cilësi. Përmes përvojës së Gallianos në modën e lartë dhe koleksionet artizanale, kompania synon të tërheqë konsumatorë që më parë preferonin markat luksoze.
John Galliano ka qenë më parë drejtor kreativ i Maison Margiela, shtëpi mode e themeluar në vitin 1988 nga stilisti avangard Martin Margiela, nga e cila u largua në fund të vitit 2024. Ai ka udhëhequr gjithashtu drejtimin kreativ të Dior, pjesë e gjigantit francez të luksit LVMH.
Njoftimi për bashkëpunimin vjen rreth një javë pasi Inditex raportoi një përshpejtim të rritjes së shitjeve në fillim të vitit fiskal, pavarësisht sfidave nga tensionet gjeopolitike dhe konkurrenca e fortë në industrinë e modës. Për të qëndruar përpara rivalëve, kompania spanjolle ka ndërmarrë hapa për të ri pozicionuar Zaran dhe për ta diferencuar atë nga markat më të lira si Shein. Ndër iniciativat kryesore janë përmirësimi i përvojës në dyqane dhe forcimi i identitetit të markës.



