Konsolidimi i VLEN në një parti, Nuhiu: I mundur, por me vështirësi

featured
Press Online
16 Mars 2026, 10:25

Koalicioni VLEN drejt transformimit në një parti të vetme. Procesi, pa korniza të definuara kohore, po përfshin Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa dhe Alternativën. Lëvizja Besa, e para morri vendimin për shkarkimin e kryesisë së partisë. Akti u pasua nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit. Alternativa ka shprehur mbështetje për idenë e partisë së përbashkët, por procesi i brendshëm është në zhvillim.

Ndërkaq mbetet e paqartë nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i bashkangjitet shkrirjes apo do të mbetet vetëm si mbështetje politike.

Krerët e VLEN janë shprehur optimist për mbylljen e procesit, pasi i kanë dakorduar edhe postet. Kryetari i LD-së Izet Mexhiti është shprehur se ai dhe Bilall Kasami do të jenë kryetarë të partisë. Nënkryetar do të emërohet Bekim Qoku, ndërkaq sekretar i përgjithshëm, Bekim Sali.

Politologu Qani Nuhiu në analizën e tij thotë se procesi është i mundur por mund të ketë vëzhtirësi në funksionimin homogjen të partisë.

“Çfarë partie mund të ndërtohet? Dmth, një parti klasike homogjene, apo një parti e cila do të ishte më pak e homogjenizuar, apo edhe në kuptimin formal të fjalës që do të lejonte edhe mundësinë e veprimit si fraksione brenda, për shkak se nga veprimet e partive se nuk janë të përgatitur të shkrijnë komplet identitetin e tyre në një parti të ardhshme politike që do të quhej VLEN. Si proces është i mundshëm, por nuk shkon pa vështirësi, edhe mund të krijohet një parti politike, e cila do të kishte sfida serioze në të ardhmen me kohezionin e brendshëm partiak.” – tha politologu, Qani Nuhiu.

VLEN së bashku me VMRO –DPMNE-në dhe Lëvzijen “E Di” kanë një shumicë relativisht të fortë në kuvend prej 78 deputetësh. Por edhe përkundër gjëndjes faktike qarkullojnë zëra për përfshirjen e BDI-së në pushtet për të ruajtur stabilitetin e shumicës parlamentare.

Politologu Nuhiu nuk e sheh BDI-në në ekzekutiv.

“Tani dihet se strumbullari i AKI-së ka qenë BDI-ja, e cila ka akoma antagonizma bukur të theksuara me koalicionin VLEN. Faktori I dytë përse nuk besoj është se qeveria tashmë edhe pak muaj arrin mes mandatin e saj, ashtuqë nuk përjashtohen mundësitë të kemi edhe zhvillime të tjera politike, konkretisht edhe zgjedhje të parakohshme.” – u shpreh Nuhiu.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka kundërshtuar përfshirjen e integristëve në qeveri, pasi sipas tij koalicioni i tanishëm ka shumicë të qëndrueshme pa BDI-në.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter