Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon Qeverinë se po qëndron pasive përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve, duke paralajmëruar se standardi jetësor i familjeve në vend po përkeqësohet çdo ditë. Nga kjo parti thonë se në vend të masave konkrete për mbrojtjen e qytetarëve, institucionet, në veçanti Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga përfaqësues të koalicionit VLEN, po tregojnë mungesë interesi dhe kapaciteti për të menaxhuar situatën.
Sipas BDI-së, propozimi i tyre për rritjen e pagës minimale dhe për rritje lineare të pagave është refuzuar, duke lënë mijëra familje të përballen me çmime gjithnjë e më të larta ndërkohë që të ardhurat mbeten të pandryshuara.
“Standardi i familjeve në vend po goditet çdo ditë nga rritja e çmimeve dhe nga mungesa e reagimit institucional. Në vend të veprimeve konkrete, qytetarët po përballen vetëm me heshtje nga institucionet”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se situata bëhet edhe më e rëndë në këtë periudhë, kur familjet përballen me shpenzime më të mëdha për shkak të muajit të Ramazanit dhe festave që pasojnë, si Bajrami dhe Pashkët.
BDI thotë se nuk mbetet vetëm në kritikë, por paraqet edhe një sërë masash konkrete që, sipas tyre, mund të zbatohen menjëherë për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve.
Ndër propozimet kryesore janë vendosja e çmimeve tavan për produktet bazë ushqimore ose përcaktimi i marzheve minimale të fitimit për këto produkte, me qëllim parandalimin e abuzimeve në treg. Po ashtu, partia kërkon që paga minimale të rritet për të paktën 3500 denarë duke filluar nga muaji mars, në vend të rritjes aktuale prej rreth 1600 denarësh.
Një tjetër masë e propozuar është ulja e përkohshme e TVSH-së për produktet bazë ushqimore për një periudhë prej tre muajsh, me qëllim uljen e menjëhershme të çmimeve për konsumatorët.
BDI kërkon gjithashtu rishikim të të dhënave doganore për importin e pemëve dhe perimeve, duke theksuar se vendi është në masë të madhe i varur nga importi dhe se çdo manipulim në këtë sektor reflektohet drejtpërdrejt në çmimet për qytetarët. Po ashtu, kërkohet rritje e kontrolleve nga inspektoratet përkatëse në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet.
Në reagim, partia i bën thirrje edhe Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë më shpesh çmimet e derivateve të naftës, të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh rënien e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
“Çdo vonesë në reflektimin e këtyre ndryshimeve në tregun vendor përbën barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në reagim.
Nga BDI theksojnë se qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete dhe jo për heshtje institucionale, duke kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e standardit jetësor të familjeve.




