Izraeli dhe SHBA-ja filluan para pak ditësh sulmet ndaj Iranit, ndërsa statistikat tregojnë se nga Irani Maqedonia importon kryesisht ushqime, produkte kimike dhe të ngjashme, karburante minerale, vajra dhe produkte të lidhura, si dhe sasi të vogla të lëndëve të para, duhanit, pijes dhe makinave, shkruan Faktor, përcjell PressOnline.al
Nga ana tjetër, eksportet e Maqedonisë drejt Iranit përbëhen kryesisht nga makina dhe pajisje transporti, si dhe sasi të vogla të duhanit, pijes dhe lëndëve të para. Megjithatë, shkëmbimi tregtar me Iranin nuk është i madh dhe ekonomia e vendit mbetet kryesisht e orientuar drejt tregjeve evropiane.
Sipas pronarëve të dyqaneve për ushqime të shëndetshme në Shkup, hurmat që shiten në vend vijnë nga Irani. Ata theksojnë se nuk mund të parashikohet nëse konflikti do të ndikojë në import-eksport, por ushqimet janë të konsumueshme dhe të pranishme në markete.
“Lëblebitë, rrushi i thatë dhe f’staqet që kemi janë nga Irani. Një pjesë tjetër e ushqimeve vjen nga Turqia. Nëse tensionet vazhdojnë, disa çmime mund të rriten, siç ka ndodhur me lajthitë,” thonë pronarët e një dyqani në Ohër.
Sipas të dhënave të Drejtoriatisë së Statistikave të Maqedonisë (DZS), eksporti i Maqedonisë në Iran ka pasur ndryshime gjatë viteve. Në vitin 2025, eksporti arriti vlerën 193.325 euro, ndërsa një vit më parë, në 2024, kishte qenë 356.144 euro. Në 2023-n, Maqedonia kishte eksportuar 385.708 euro, ndërsa në 2022 vlera ishte 1.107.034 euro. Për të dhënë një perspektivë më të largët, në vitin 2012 eksporti ishte vetëm 66.211 euro, ndërsa në vitin 2010 arriti 1.348.059 euro.

Nga ana tjetër, importi nga Irani në Maqedoni ka qenë dukshëm më i lartë. Në vitin 2025 importi arriti 8.249.367 euro, ndërsa në 2024 kishte qenë 15.053.483 euro. Në 2023, importi nga Irani ishte 12.020.421 euro, ndërsa në 2022 arriti 20.186.034 euro dhe në 2021 28.432.877 euro. Shifrat e mëparshme tregojnë se në 2017 importi ishte 4.194.225 euro, në 2015 2.237.372 euro, në 2014 1.216.151 euro dhe në 2004 1.078.182 euro.

Për krahasim, Gjermania mbetet partneri kryesor tregtar i Maqedonisë, ndërsa Britania, Serbia, Greqia, Italia dhe Bullgaria zakonisht figurojnë ndër pesë partnerët kryesorë.
Sipas njoftimeve të qeverisë iraniane, eksporti i të gjitha produkteve ushqimore dhe bujqësore është i ndaluar. Irani kontribuon me rreth 18% në prodhimin global të f’staqve dhe 6% në prodhimin global të qershive, ndërsa situata tashmë e tensionuar mund të ndikojë në tregun global të plehrave.


