Sipas informacioneve të Fokus, pas ndryshimeve politike, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte bërë një përpjekje për t’i siguruar ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi një terren më të favorshëm për betejën e tij ligjore përmes kanaleve politike. Megjithatë, kjo përpjekje ishte refuzuar kategorikisht nga qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe partia VMRO-DPMNE, informon PressOnline.al
Persona të afërt me Grubin pretendojnë se ai ishte larguar me shumë vështirësi dhe se e kishte të vështirë të qëndronte larg shtëpisë dhe familjes së tij. Nëse kjo është e vërtetë, lind pyetja: a ka rënë ai në një krizë personale dhe ka vendosur të kthehet pa pritshmëri të mëdha, apo gjendja e tij është shfrytëzuar nga kundërshtarët politikë të Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët mund ta kenë tërhequr në anën e tyre?
Sipas burimeve të mirëinformuara, Grubi prej kohësh po përpiqet përmes kanaleve të ndryshme politike, por edhe familjare, të arrijë një marrëveshje për kthimin e tij. Këto përpjekje janë intensifikuar me kalimin e kohës për disa arsye – dëshira për t’u kthyer pranë familjes, ndjenja se ishte lënë mënjanë dhe harruar nga qendra e partisë në Reçicë të Vogël, si dhe pretendimet se ishte bërë objekt kërcënimesh.
Nëse e gjithë kjo e ka shtyrë Grubin të kërkojë dhe të sigurojë një rikthim nën kushte më të favorshme – siç përmendet mundësia e arrestit shtëpiak – atëherë lind pyetja se çfarë mund të ofrojë ai në këmbim?
Siç pohon një përfaqësues i pushtetit, Grubi ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të flasë dhe të tregojë gjithçka që di për disa ish-bashkëpartiakë në parti dhe në qeveri.
Sipas të njëjtave burime, personi që ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-ve, thuhet se ka përpiluar edhe një “listë të tij të zezë”, ku në plan të parë përmenden pesë emra: Blerim Bexheti, Kreshnik Bekteshi, Bujar Osmani, Mile Zeçeviq dhe Vice Zaev.(PressOnline.al)



