Jim Carrey ka reaguar pas valës së teorive konspirative që pushtuan rrjetin, pasi u shfaq me një pamje ndryshe në edicionin e 51-të të César Awards në Paris, ku mori një çmim nderi.
Fotografitë e aktorit 64-vjeçar ndezën spekulime të shumta online, që nga pretendimet për ndërhyrje estetike e deri te teori ekstreme se ai ishte zëvendësuar nga një “klon”.

Përfaqësuesi i tij i tha DailyMail se Carrey ishte personalisht i pranishëm në ceremoni, duke hedhur poshtë çdo pretendim.
Edhe Grégory Caulier, delegati i përgjithshëm i çmimeve, e cilësoi paraqitjen e aktorit si plotësisht autentike dhe një moment historik për eventin.
Ai theksoi se vizita e Carrey-t ishte planifikuar prej muajsh dhe se aktori kishte kaluar tetë muaj duke përgatitur fjalimin e tij në frëngjisht.

Megjithatë, rrjeti u mbush me teori të pabazuara. Disa përdorues pretenduan se ngjyra e syve të tij dukej më e çelët, ndërsa të tjerë vunë re se po firmoste autografe me dorën e djathtë, ndonëse njihet si mëngjarash.

Konfuzioni u shtua kur artistja e njohur e grimit Alexis Stone publikoi një postim në Instagram me mbishkrimin “Alexis Stone si Jim Carrey në Paris”, duke nxitur edhe më shumë diskutime. Postimi tërhoqi reagime nga figura publike si Megan Fox dhe Lisa Rinna, të cilat shprehën habi.
Megjithatë, organizatorët e Çmimeve César dhe përfaqësuesit e aktorit e kanë bërë të qartë, Jim Carrey ishte vetë i pranishëm në Paris, duke i dhënë fund spekulimeve që pushtuan rrjetet sociale.



