Çdo ditë, rreth 2.000 punëtorë hyjnë në Mal të Zi në orët e hershme të mëngjesit nga Shqipëria fqinje, përmes dy pikave kufitare, Sukobin dhe Bozhaj, dhe kthehen në Shkodër dhe qytetet përreth po atë ditë pasdite. Kjo është bërë e ditur për portalin Primorski nga Drejtoria e Policisë.
“Deri në 1.600 shtetas të Republikës së Shqipërisë e kanë kaluar pikën kufitare Sukobin brenda një dite në hyrje të Malit të Zi. Po atë ditë, rreth 1.300 persona, kryesisht burra, janë kthyer nga Mali i Zi në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Policisë për portalin Primorski.
Nga Shkodra dhe rrethina e saj, punëtorët udhëtojnë për në punë në Mal të Zi edhe përmes pikës kufitare Bozhaj.
Ky trend është aktual prej disa vitesh. Shumica e punëtorëve nga Shqipëria punojnë në sektorin e ndërtimit në Ulqin, Tivar, Podgoricë,etj. (INA)



