BDI kopjon LSDM-në, njëra me ekipin antikorrupsion, tjetra me “SPAK”

featured
Press Online
15 Shkurt 2026, 12:46

Pasi LSDM prezantoi formimin e një ekipi antikorrupsion si pjesë e programit të saj politik, edhe BDI ka dalë me një iniciativë të ngjashme, duke shpallur krijimin e “Sekretariatit për Parandalim dhe Anti-Korrupsion – SPAK” pranë degës së saj në Çair, informon PressOnline.al

Më 5 dhjetor 2025, kryetari i Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, bëri të ditur se partia ka formuar një ekip profesional të përbërë nga juristë dhe ekspertë financiarë, me qëllim zbulimin dhe dokumentimin e aferave korruptive.

Sipas tij, ekipi do të hetojë skandale, do të analizojë dokumentacionin përkatës, do t’i prezantojë gjetjet para opinionit publik dhe do të denoncojë skemat e dyshuara korruptive, duke paralajmëruar edhe paraqitjen e kallëzimeve në institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, u njoftua se së shpejti do të lansohet një platformë online ku qytetarët do të mund të raportojnë raste të dyshuara për korrupsion dhe të dorëzojnë dokumente apo materiale mbështetëse.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka shpallur themelimin e “SPAK”, të cilin e përkufizon si mekanizëm profesional monitorimi për funksionimin e institucioneve lokale. Sipas komunikatës, sekretariati do të përbëhet nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të tjerë – dhe do të analizojë çdo indicie për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.

BDI njofton se fokusi i këtij mekanizmi do të përfshijë ndërtimet pa leje, procedurat e prokurimeve publike, kontratat dhe vendimmarrjet që ndikojnë në buxhetin komunal, si dhe punësimet dhe praktikat administrative. Njëkohësisht, paralajmërohet krijimi i një mekanizmi për denoncime anonime përmes një platforme online dhe një linje të hapur komunikimi, me garanci për mbrojtjen e identitetit të qytetarëve.

Ngjashmëritë ndërmjet dy iniciativave janë të dukshme. Të dyja parashohin ekipe profesionale me ekspertë juridikë dhe financiarë, analizë dokumentesh, publikim të rasteve në opinion dhe krijimin e platformave për raportim nga qytetarët, si dhe adresimin e rasteve në institucionet kompetente.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter