Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka reaguar ndaj deklaratave të Bilall Kasamit, lider i VLEN, i cili sugjeroi se Fillkov mund të mos qëndrojë më në Qeveri pas rikonstruimit të kabinetit. Reagimi i ministrit vjen pas debateve mbi mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
“Atëherë kur Bilall Kasami të bëhet kryeministër, do ta thotë se kush do të jetë ministër e kush jo. Deri atëherë, ndarja e drejtësisë, respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve do të vlejnë për të gjithë,” tha Fillkov, duke mohuar mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe, por duke lënë hapësirë për diskutim, përcjell PressOnline.al
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se vendimet për ndryshimet kadrovike janë të tijat, duke mbrojtur edhe ministrin Fatmir Limani nga zërat se mund të largohet.
“Unë jam i kënaqur me punën e zotëri Limanit, ai është vlerë e shtuar në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Unë jam mandatar i Qeverisë dhe e formoj kabinetin,” deklaroi Mickoski.
Ndërkohë, Bilall Kasami nuk iu përgjigj direkt këtyre deklaratave, por theksoi se në mbledhjen e kryesisë së VLEN do të diskutohet për punën e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri.
Kryeministri Mickoski paralajmëroi se deri në qershor do të ketë ndryshime në poste ministrore, me qëllim rritjen e efikasitetit të Qeverisë, pa dhënë shumë detaje për reshjet e rikonstruimit.







