Bianca Censori ka bërë një rrëfim të rrallë dhe tejet personal për martesën e saj me Kanye West, duke hedhur dritë mbi një periudhë të errët emocionale që e detyroi të kërkonte ndihmë profesionale jashtë vendit.
Arkitektja australiane, e cila u martua me reperin kontrovers në vitin 2022, ka zbuluar se për shkak të problemeve të thella emocionale ajo kaloi një periudhë rehabilitimi në një klinikë në Spanjë.
Ky rrëfim vjen vetëm pak ditë pasi mediat raportuan se 31-vjeçarja kishte tentuar disa herë të largohej nga martesa, e shqetësuar nga deklaratat dhe qëndrimet antisemite të West.
Megjithatë, në deklaratat e saj më të fundit, Bianca duket se ka një këndvështrim tjetër. Në një intervistë të sinqertë për Vanity Fair, ajo pranoi se kjo periudhë e vështirë e ndihmoi të reflektonte thellë mbi veten dhe modelet e sjelljes që po i shkaktonin dëm asaj dhe njerëzve përreth.
Kisha nevojë të punoja me veten. Po përsërisja sjellje që jo vetëm më dëmtonin mua, por edhe të tjerët
-u shpreh ajo.
Bianca zbuloi se për një kohë të gjatë kishte prirjen t’ua atribuonte të tjerëve fajin për lumturinë ose pakënaqësinë e saj, diçka që rehabilitimi e ndihmoi ta kuptonte dhe ta ndryshonte.
Sipas saj, trajtimi në klinikë i ndryshoi rrënjësisht jetën. Ajo pranoi se më parë vuante nga çrregullime emocionale, por sot ndihet më e qëndrueshme dhe e aftë të funksionojë normalisht.
Në mënyrë surprizuese për publikun, Censori i atribuoi një rol kyç Kanye West në këtë proces shërimi, duke theksuar se mbështetja e tij ishte vendimtare.
E vetmja gjë që ka bërë ndonjëherë për mua dhe që nuk krahasohet me asgjë tjetër, ishte fakti që më ndihmoi të merrja këtë trajtim
-tha ajo, duke shtuar se pagesa për rehabilitimin ishte dhurata më e vlefshme që kishte marrë ndonjëherë prej tij.
Rrëfimi i Biancës ka hapur një tjetër kapitull në historinë e saj me Kanye West, duke treguar një anë më të ndjeshme dhe më pak të njohur të marrëdhënies së tyre, mes polemikave, krizave dhe përpjekjeve për shërim.



