Nga Destan JONUZI
Në Maqedoninë e Veriut, pushteti dhe opozita kanë arritur më në fund një “marrëveshje historike” – të mos bëjnë asgjë që mund të kërkojë guxim, përgjegjësi apo orientim të qartë perëndimor. Integrimi europian është reduktuar në retorikë ceremoniale, reformat në fjalor teknik, ndërsa status quo-ja është ngritur në nivel doktrine shtetërore. Për shqiptarët në këtë vend, kjo qetësi e rreme nuk është stabilitet, është paralajmërim.
Sërish do të flasim për Bashkimin Europian. Jo sepse po afrohemi, por sepse jemi mjeshtër të flasim për diçka që nuk e bëjmë. Diskursi publik është kthyer në një ritual folklorik: ne deklarojmë se jemi gati, BE bën sikur na dëgjon, ndërsa realiteti vazhdon të ecë përpara pa ne.
Në Tiranë, Zagrebin apo Lubjanë, integrimi ishte projekt shtetëror. Këtu është kthyer në mit urban. Dhe si çdo mit, ushqehet me legjenda, se Europa ka nevojë për ne, se pa ne nuk është e plotë, se një ditë do të zgjohet dhe do të na thërrasë me urgjencë. Deri atëherë, ne presim. Me krenari.
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo pritje nuk është romantike. Është rrezik. Sepse çdo ditë jashtë BE-së është një ditë më shumë ku barazia varet nga marrëveshje politike, jo nga standarde europiane. Dhe historia na ka mësuar se marrëveshjet politike kanë afat, ndërsa standardet – jo.
Zgjedhje të parakohshme në 2026? Teorikisht, gjithmonë është e mundur. Praktikisht, askush nuk ka nerv, guxim apo narrativë për to. Sepse zgjedhjet pa ide janë si fushata pa elektorat: zhurmë pa kuptim.
Publiku është lodhur. Jo nga politika – nga përsëritja. Dhe nëse zgjedhjet nuk premtojnë ndryshim real, ato shihen si një shfaqje tjetër ku aktorët ndërrojnë kostume, por jo role.
Ndërkombëtarët, nga ana tjetër, preferojnë stabilitetin. Sidomos kur është steril. Sepse një vend që nuk lëviz nuk rrezikon asgjë – përveç së ardhmes së vet.
Qeveria ka një problem serioz! Është shumë e vetëdijshme për popullaritetin e saj. Dhe si çdo pushtet që mat çdo hap me sondazhe, ajo ka humbur aftësinë për të marrë vendime të vështira.
Reforma? Po, por jo tani. Lufta kundër korrupsionit? Patjetër, por selektive. Ekonomia konkurruese? Me subvencione. Drejtësia? Me rotacion emrash, jo sistemesh.
Kjo nuk është qeverisje, është administrim i pritshmërive. Dhe pritshmëritë, siç dihet, bien më shpejt se standardet.
Opozita, ndërkohë, sillet sikur politika funksionon sipas ligjit të gravitetit: gjithçka që është lart, bie vetë. Pa reformë, pa ide, pa distancë nga e shkuara, ajo pret momentin kur pushteti do të lodhet nga vetvetja.
Problemi është se në skenë ka hyrë një lojtar tjetër. Dhe loja nuk është më bardhë e zi. Në këtë realitet të ri, kush nuk lëviz, zhvendoset – por jo përpara.
Ky vit nuk do të jetë vit krize. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Do të jetë vit i qetë, i parashikueshëm, i mërzitshëm – dhe thellësisht i dëmshëm. Pa BE-në, pa reforma, pa zgjedhje, pa vizion. Një vit ku politika do të bëjë sikur gjithçka është nën kontroll, ndërsa realiteti do të vazhdojë të ikë. (PressOnline.al)


