Shkrirja e Partisë Demokratike Europiane në Bashkimin Demokratik për Integrim nuk është thjesht një lëvizje formale politike. Ajo ka hapur një kapitull të ri brenda strukturave të BDI-së, ku emërimi i Arjanit Hoxhës në pozitën e nënkryetarit po shihet si rezultat i një balancimi të brendshëm të fuqive dhe ndikimeve të vjetra partiake.
Burime të larta brenda BDI-së i kanë bërë të ditur për PressOnline.al se ngritja e Hoxhës në një nga pozitat më të rëndësishme të partisë nuk është e rastësishme dhe as produkt i peshës së tij elektorale, por një emërim i mbështetur fuqishëm nga Musa Xhaferi – një nga figurat më me ndikim në prapaskenat e partisë.
Mbështetja e heshtur e Musa Xhaferit
Sipas këtyre burimeve, Musa Xhaferi, i cili në kuadër të të ashtuquajturit “reformim partiak” u tërhoq nga disa pozita kyçe së bashku me Blerim Bexhetin, ka ruajtur ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen strategjike të BDI-së. Pikërisht në këtë kontekst, emri i Arjanit Hoxhës del si një zgjidhje kompromisi, por edhe si një figurë e besuar e Xhaferit.
“Hoxha është njeri i Musa Xhaferit prej vitesh. Çdo avancim i tij politik ka ardhur me bekimin dhe mbështetjen e tij”, shprehen burime partiake për PressOnline.al.
Një karrierë politike me shumë stacione
Arianit Hoxha nuk është figurë e re në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai e ka nisur rrugëtimin e tij në PPD, për të kaluar më pas në disa subjekte politike, duke ndërruar shpesh kampe dhe aleanca. Së fundmi, ai mbajti edhe pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike Europiane, parti e cila tashmë është shkrirë zyrtarisht në BDI.
Megjithatë, sipas burimeve brenda partisë, pavarësisht pozicioneve formale që ka mbajtur, Hoxha “asnjëherë nuk ka vepruar i pavarur politikisht”, por ka qenë vazhdimisht i orientuar dhe i ndikuar nga Musa Xhaferi.
Mes reformimit dhe riciklimit të figurave
Emërimi i Hoxhës si nënkryetar po ngre pikëpyetje serioze brenda vetë strukturave të BDI-së, veçanërisht nëse ky veprim përputhet realisht me narrativën e reformimit që udhëheqja aktuale po e promovon publikisht.
Sipas zërave kritikë brenda partisë, bëhet fjalë më shumë për riciklim të ndikimeve të vjetra përmes figurave të reja, sesa për një reformë të thellë dhe substanciale.(PressOnline.al)


